Dy anët e medaljes janë thënë për Kosovën në takimin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Pikë e dobët e Kosovës është numri i madh i personave që kanë shkuar në Siri. Por, Kosova në rajon prin edhe me numrin e të arrestuarve që iu bashkuan “xhihadit”.
Se ku qëndron Kosova në implementimin e strategjisë për parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Evropën Juglindore ka raportuar para Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Kujtim Bytyqi, zyrtar i lartë nga sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Pas raportimit në takimin e RCC-së në Tiranë, Kujtim Bytyqi, njëherësh edhe anëtar i këtij këshilli, ka thënë se gjitha këto iniciativa kanë për qëllim që t’i bëjnë bashkë shtetet e regjionit për t’i ndihmuar koordinimit më të mirë në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.
Bytyqi, në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Zërin” në kryeqytetin shqiptar ka thënë se Kosova ka një strategji për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit të ndërtuar bazuar në strategjinë e Bashkimit Evropian për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.
“Brenda strategjisë së BE-së ceket se luftimi i ekstremizmit nuk mund të jetë vetëm punë e Qeverisë por është punë gjithëpërfshirëse”, ka thënë Bytyqi për “Zëri”.