Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci, është takuar me përfaqësues të shoqatave dhe të shkollave të mësimit plotësues të komunitetit shqiptar, që jeton në Londër.
Gjatë këtij takimi, ministri Bytyqi ka shpalosur prioritetet arsimore të Kosovës, me theks bashkëpunimin midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë për organizimin dhe financimin e mësimit plotësues të gjuhës dhe kulturës shqipe në diasporë.
Pasi që theksoi kontributin e madh që ka dhënë dhe po e jep për vendin tonë diaspora shqiptare, ministri Bytyqi premtoi që së bashku me ministritë tjera të linjës do të jenë gjithmonë pranë diasporës shqiptare, sidomos në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës.
Ky takim është zhvilluar gjatë vizitës zyrtare të ministrit Bytyqi në Londër, ku ka marrë pjesë në Forumin Botëror të Edukimit 2018.