Kosova e Shqipëria me humbje më të mëdha të rrymës

Prishtinë | 15 Nën 2016 | 15:52 | Nga

Raporti me të dhëna të vendeve të Evropës Juglindore, paraqet një progres të larmishëm të sektorit të energjisë. Raporti më i ri një grupi të OJQ-ve, është zhvilluar për progresin drejt qëndrueshmërisë në vendet e Evropës Juglindore në sektorin e energjisë.

Lirimet e CO2-it, humbjet e energjisë elektrike dhe intensiteti i energjisë elektrike kanë pasur zvogëlim në të gjitha vendet e rajonit, por më pak progres ka pasur në rritjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme diellore dhe erës dhe në përqasjen e korrupsionit.

Raporti me të dhëna, përfshin 7 vende dhe krahason të dhëna nga 2010 dhe 2014-2015, synon që të plotësojë raportet vjetore të Komisionit Evropian në lidhje me ecurinë e vendeve për aderimin në BE.

Në ndryshim nga raportet e Komisionit Evropian, ky raport me të dhëna shqyrton ndryshimet konkrete në sistemin e energjisë përtej politikave ekzistuese gjatë pesë viteve të fundit.

Ndër gjetjet kryesore përmendim:

Lirimet e CO2 për frymë nga djegia e lëndëve djegëse ka rënë ndërmjet 2010-2014 në të gjitha vendet përveç se në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Shqipëri. Megjithatë, uljet e çlirimeve nuk janë rezultat i politikave që adresojnë çështjen, por janë më tepër i ndikimeve të ndryshimeve katastrofike klimatike.

Përmbytjet e mëdha në Serbi në vitin 2014 zvogëluan në mënyrë të ndjeshme sasinë e energjisë së prodhuar nga qymyri.

Kroacia ka përqindjen më të madhe të energjisë diellore dhe të erës, me 5,5% të energjisë elektrike nga era në vitin 2014. Energjia diellore ishte 34 GWh në vitin 2014, por në përdorim është vetëm një fraksion i vogël i saj.

Humbjet në transmetim dhe në shpërndarje kanë rënë ndërmjet vitit 2010-2015 në të gjitha vendet përveç Shqipërisë.

Kosova është vendi më i varur nga qymyri në rajon, 97% e energjisë elektrike në 2014 sigurohej nga qymyri. Maqedonia dhe Serbia renditen të dytat, me 69% dhe 64.8% të energjisë elektrike që i vjen nga qymyri. Në krahasim, BE-ja prodhon 26.3% të energjisë elektrike nga qymyri për vitin 2014.

Intensiteti i energjisë- sasia e energjisë që nevojitet për të prodhuar një njësi të PBB-ka pësuar rënie ndërmjet 2010 dhe 2014 në të gjitha vendet përveç Bosnje dhe Hercegovinës dhe Shqipërisë.

Ndërmjet vitit 2010-2015 të gjitha vendet përveç Maqedonisë dhe Shqipërisë përmirësuan të dhënat e tyre në Indeksin e perceptimit të korrupsionit në transparencën ndërkombëtare, por ky përmirësim është shumë i vogël.

Shqipëria dhe Kosova kanë humbjet më të mëdha në rajon. Në vitin 2015 një e treta e elektricitetit në Shqipëri dhe Kosovë është vjedhur ose ka humbur në transmetim dhe në shpërndarje, raporton Ekonomia Online.

Shqipëria ka nivelin më të ulët të lirimit CO2 për frymë në të gjithë rajonin edhe pse kjo vihet re një rritje e vogël ndërmjet 2012 dhe 2014. Sfida do të jetë që të diversifikohet varësia ndaj energjisë hidrike, pa pasur ndikime në rritjen e lirimeve të CO2 duke marr masa të përshtatshme për të ruajtur biodiversitetin.

Shqipëria në 2015 vazhdonte që të bazohej 100% në burimet hidrike për energjinë elektrike dhe nuk ka pasur gjenerime nga energjia e erës apo diellore

“Është premtuese që mjaft vende të rajonit janë në gjendje të zvogëlojnë lirimet e tyre të gazeve për frymë nga djegia e lëndëve djegëse. Megjithatë performancë jo e mirë e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, mund të bëhet një pengesë nëse nuk merren masa të shpejta”, komentoi Dragana Mileusniq e rrjetit për Aksion dhe Ndryshim në Evropë.

“Ka përmirësime në humbjet e energjisë në transmetim dhe në shpërndarje dhe në efiçencën e energjisë megjithatë Kosova ende duhet të punojë për të pasur rezultate të tilla, për një sistem të hormonizuar të energjisë ”, theksohet në raport.

“Është zhgënjyese të shihet që edhe pse investitorët kanë interes, me vështirësi shihet ndonjë investim për energjinë e erës apo atë diellore (në çati) në rajon. Rregulloret kombëtare të papërshtatshme reflektojnë mungesën e vullnetit politik për t’u përqendruar në burimet e energjisë që mund të rriten me kalimin e kohës dhe të ndikojnë në përmbushjen e synimeve të vitit 2020”, Sonja Risteka.

Të ngjashme