“Pikë uji” është filmi me të cilën Shqipëria dhe Kosova synojnë të shkojnë në “Oscars 2025”. Filmi është i metrazhit të gjatë dhe është xhiruar në Pogradec dhe tematika e tij është korrupsioni në Shqipëri, raporton Ekonomia Online.
Producenti i filmit “Pikë Uji”, Robert Budina ka njoftuar se filmi trajton temë sociale që kryesisht lidhet me korrupsionin edhe gjendjen e familjes në një shoqëri të korruptuar.
“Filmi ka qenë në produksion ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, Maqedonisë, Polonisë dhe Italisë. Premierën e kemi pasur në Tiranë javën e kaluar në nëntor planifikojmë ta kemi në Prishtinë. Është një temë sociale që kryesisht trajton korrupsionin edhe gjendjen e familjes në një shoqëri të korruptuar. Filmi është i metrazhit të gjatë ndërsa rolin kryesor e luan Gresa Pallaska, roli i dytë është Arben Barajktaraj, Astrit Kabashi”, ka thënë Budina.
Budina ka thënë se në një kohë rekord është xhiruar filmi, sipas tij brenda një viti ka arritur që ky film të lansohet dhe të arrijë nivelin e lartë artistik.
“Filmi është financuar në konkursin e kaluar nga Qendra Kinemografike dhe brenda një viti është xhiruar dhe montuar në kohë rekord në realizim besoj që duke pasur parasysh edhe kritikën që kanë shkruar artistët tanë të ndryshëm mendimin e tyre filmi ka arritur nivel të lartë artistik. Në këtë rast e mira është që filmi është në gjuhën shqipe dhe trajton një temë ku produksionet tona përfaqësohen bashkë. Mendoj që sikur të mos i kishte plotësuar kushtet Shqipëria nuk do të ishte zgjedhur. Ngjarja ndodh në Pogradec edhe është çështje artistike se si e ka trajtuar këtë temë dhe si e ka emëruar, nuk e di saktë se në çfarë këndvështrimi e ka bërë titull, por është emër që lenë përshtypje”, shtoi ai.
Drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri ka njoftuar se filmi është financuar një vit më parë dhe është kryer në kohë rekord.
“Qendra Kinemagrafike e Kosovës ka pothuajse 10 vite që mbështet filma për bashkëprodhime minore janë filma të cilët vijnë nga e gjithë bota por ne bashkëpunimin kryesor të themi e kemi me filmat që bëhen në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe në rajon. Është një bashkëpunim i natyrshëm që ndodh na bënë bashkë tema dhe gjuha. Filmi është financuar vitin e kaluar dhe është kryer në kohë rekord sepse ka ardhur dhe ka kërkuar edhe ndoshta fondin e fundit të cilat janë kërkuar kanë qenë nga qendra jonë. Kjo na gëzon që kemi përfaqësim rolin kryesor e kemi aktoren tonë Gresën Pallaskën”, u shpreh ajo.
Filmi “Pikë Uji” është i metrazhit të gjatë ndërsa rolet kryesor e luan aktorët nga Kosova Gresa Pallaska, roli i dytë është Arben Barajktaraj dhe Astrit Kabashi.
Premiera e filmit është bërë në Shqipëri, ndërsa në Kosovë, premiera e filmit të jetë në nëntor të këtij viti.