Kosova e Shqipëria të fokusohen në bashkëpunim ekonomik

Prishtinë | 17 Jan 2017 | 16:28 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ai i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës (DhTIT), Nikolin Jaka, dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi kanë vlerësuar sot lartë vendimin e dy institucioneve më të mëdha të komunitetit të biznesit në Kosovë dhe Shqipëri për themelimin e Zyrës së bashkëpunimit të biznesit të dy vendeve.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu me këtë rast tha se themelimi i kësaj Zyre është rezultat i bashkëpunimit të frytshëm në mes të Odës dhe DhTIT-së dhe përgjigje në nevojat e komunitetit të biznesit që të trajtohen dhe të zgjidhen problemet me të cilat kohë pas kohe ballafaqohet komuniteti i biznesit në dy vendet tona.

I pari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se tregu i Kosovës dhe i Shqipërisë nuk duhet shikuar si konkurrente, por si tregje komplementare.

“Është koha për të bërë të ardhmen. Nuk duhet të shihemi si tregje konkurruese, por duhet të jemi tregje komplementare që e nxisim njëra-tjetrën. Duhet të jemi të fokusuar në bashkëpunim ekonomik. Ne kemi nevojë për një zyrë të përbashkët të dy odave për një funksionalizim të tregut dhe bizneseve të kombit shqiptar. Duhet të jemi nacionalist, në kuptimin që të jemi nacionalist ekonomik që të rrisim tregun e produkteve tona dhe të jemi konkurrent me tregun e tretë”, ka thënë Gerxhaliu.

Ndërsa, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të bindin konsumatorin për produktet kombëtare.

Gjithashtu ai ka thënë se tregu shqipfolës është më i madhi në rajon.

“Ne, si Kosova ashtu edhe Shqipëria kanë probleme me bindjen e konsumatorit, i cili ende nuk po konsumon mjaftueshëm produktet kombëtare. Vetëm si një ekonomi komplementare bëhemi treni i duhur i zhvillimit ekonomik. Ne jemi tregu më i madh në rajon, flas që tregu shqipfolës është tregu më i madh në rajon. Gjithashtu përpara integrimeve evropiane neve na duhet integrimi kombëtar”, ka thënë Jaka.

I pari i diplomacisë shqiptare me mision në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se patriotizëm është kur rritet bashkëpunimi ekonomik mes dy shteteve shqiptare.

“Kosova dhe Shqipëria udhëhiqet nga dy shtete shqiptare. Nëse nuk ka ligje të caktuara nga institucionet politike atëherë burokracinë politike e thyejnë vetëm bizneset. Qeveritë ju nxisin vetëm atëherë kur ju keni një vizion. Patriotizmi është rritja e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Mixhozi.

Ambasadori Minxhozi shprehi gatishmërinë që në çdo moment të bisedoj me përfaqësuesit e biznesit për të gjitha shqetësimet të cilat i kanë ndërsa vlerësoi se kjo zyre e themeluar duhet të merret me inicimin e zgjidhës se shqetësimeve të komunitetit të biznesit në Kosovë dhe Shqipëri.

safet gerxhaliunikolin jaka

Të ngjashme