Kosova e vogël – Albini “i madh”!

Prishtinë | 14 Sht 2023 | 21:55 | Nga Kimete Berisha

Është shumë interesant kur je shqiptar dhe e dëgjon kryeministrin tënd se si, pa i lëvizur qerpiku, i thotë BE-së se është e kushtëzuar nga Serbia!

Edhe mua më pëlqeu kur i hapi sytë e tha se shans s’ka…andej-këndej!

Kur e mohon dikënd që është ‘i madh’ – ti dukesh i madh sa ai, bile më i madh!

Shqiptarëve, sidomos atyre në mërgim, u pëlqen kur kryeministri i tyre i ‘zhvesh’ perëndimorët, sepse kur i ‘mohon perëndimorët’, shqiptarëve të hequr keq u duket sikur po ua heq fshesën nga dora.

Si u bë që në hallin më të madh, i izoluar dhe i sanksionuar nga BE Albin Kurti të sillet si ‘faktor’?

Si erdhi puna që shqiptarët (populli më i varfër, më i korruptuar, më i prapambetur dhe më i vjedhur në Evropë), të duken ‘faktorë’, pa qenë!

Për herë të parë pas luftës Kosova ‘u mësua’ të thotë ‘Jo’.
T’u thotë Jo – Amerikës dhe Evropës.

Çfarë e provokoi arrogancën e shqiptarëve që harruan se deri dje edhe krushqit ua burgoste armiku serb?!

Pavarësia nga pushtuesi nuk e bëri aq arrogante Kosovën, sa e bëri arrogante pavarësimi nga çlirimtarët perëndimorë.

Është një popull që e urren zotninë!!

Halli i Albin Kurtit nuk është t’i bindë shqiptarët se evropianët dhe ‘njëra’ nga Amerikat janë me Serbinë!

Dhe, meqenëse ata që përtojnë të mendojnë janë me shumicë, dhe që duan t’ua servojë Albin Kurti bindjet sikurse suxhukun në samun,
shumë shqiptarë që jetojnë në Evropë janë bërë anti-evropianë, se kështu u ka thënë Albin Kurti, se Borreli (pra, BE) është ‘i kushtëzuar nga Serbia’!

Njeriu forcohet nga vështirësitë, bëhet dikushi veç në ‘luftë’, sikurse muskujt që duan mund që të forcohen.
Se lezeti e butësia të shkrijnë, të zbusin, lumturia të merr në qafë, ta humb karakterin.

Prandaj, sa më shumë që merren masa e sanksione ndaj tij, Albin Kurti ‘forcohet’ si person i pabindur dhe i paarritshëm.

Është paradoksale, por sanksionet e bëjnë Kosovën ‘faktor’!
E bëjnë të ‘gjallë’, e bëjnë shtet ‘problematik’, që pavarësisht sanksioneve, demek ka qëndrime shekullore, nuk lëshon pè.

Kështu ‘u krijua’ Edi Rama.
Falls.
Një nevrik, që nuk ka as durim të dëgjojë një fjali deri në fund, as s’ka lidhje me politikë, sintaksa dhe fjalia e tij në ese është monotone dhe e gjatë sa rruga që kurrë nuk mbaron…!

Por, pa qenë politikan u krijua si ‘faktor’ politik që demek di t’ia tregojë vendin Evropës me meselet e tij.

Kushdo që i ka dy palë mend në kokë e di se Albin Kurti nuk shkon në Bruksel për të gjetur zgjidhje.

Albin Kurti shkon në Bruksel për t’u mbrojtur nga Serbia dhe nga BE.
Jo për t’u pajtuar me ta, por për të dalë ‘i gjallë’ nga takimi me ta.

Gjithmonë del nga takimi me ta si viktimë që mezi ka mbijetuar. 
Në takime, Albin Kurti gjithmonë shfaq dëshira (që ai i quan udhëzues), që e di se nuk i plotësohen.

Dhe kështu, duke ofruar marrëveshje mbi marrëveshje, kujton se askush nuk e vëren se as nuk është i zoti të thotë ‘Asociacion të serbëve s’ka’, e as nuk ka këllqe të thotë ‘Asociacion ka’!

Në matematikë ekziston termi ‘problem i pazgjidhur’.
Mund të thuash ‘Problemi mes Kosovës e Serbisë është problem i pazgjidhur’.

E njoh atë ndjenjë, në sa e sa takime shkon njeriu sikur me vullnet të mirë për ta pranuar ‘ofertën’ për bashkëpunim, ama nisesh me nijetin për të thënë Jo.
Ti pa filluar biseda e di që do të thuash Jo.

Dhe ai që thotë Jo – fiton.

Perëndimi e di se me Albin Kurtin dhe me Vjosa Osmanin nuk do të ketë marrëveshje dhe paqe me Serbinë.

Nuk do të ketë, sepse duhet të jesh një idiot i madh që për një trohë pushtet (sa për ta punësuar tezen e vet dhe për ta vjedhur bukën e popullit) do të pranoje ta shpallje Autonominë e serbëve në Veri.

Askush nuk është aq idiot për t’ia plotësuar të gjitha dëshirat e Vuçiqit.

Prandaj, kushdo që nga Brukseli i fton Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin në takim për marrëveshje, negociata dhe paqe me Serbinë, është i interesuar të mos ketë marrëveshje.

Shqiptarët i kanë votuar, por Perëndimi po i bën të ‘egër’ Albin Kurtin e Vjosa Osmanin. Perëndimi po e inkurajon arrogancën e tyre.

Perëndimi po i krijon shqiptarët si ‘faktorë’!

I njëjti ‘luan’ që s’e bën hesap Serbinë në tavolinë, i paguan me rroga të buxhetit ‘ terroristët e Mbrojtjes Civile’;
ua paguan rrymën dhe ujin serbëve të veriut…
ndërsa shqiptarët që nuk janë të ‘tij’ ata i përndjekë, i spiunon, i fotografon pa lejen e prokurorisë, i përcjell tinëz, i frikëson, i shantazhon, i kërcënon, gratë i shikon nën fustan, i largon nga puna.

Për shqiptarët qeveria Kurti është ‘masë e dhunshme’!

Kaq poshtë ka rënë katundi sa do të dëshironim që qeveria Kurti të na trajtonte si ‘armikun serb’!

P.S. E fati i autores është paradoksal. Shkruan kundër qeverisë, por ka qenë pjesë e ekipit për Ligjin e Kinematografisë të kësaj qeverie.
Ka punuar hakikat në atë Ligj, sikur të ishte për shtëpinë e saj…

E në Ministrinë e Kulturës, dikënd që është në pozitën më të lartë, autorja e ka dëgjuar të thotë se ‘Krishti është i varrosur në Vatikan’.

O kohëra, O zakone: Kaq tragjike, analfabete dhe e paditur është kultura shqiptare!

Të ngjashme