Kosova ende pa përgjigje për mostrat e dërguara në Gjermani për variantin e ri Omicron

Prishtinë | 13 Dhj 2021 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Me 7 dhjetor të këtij viti, mbi 30 mostra pozitive për COVID-19 janë nisur nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për në Gjermani, për analiza më të detajuara për variantin e ri të koronavirusit. Rezultatet e tyre ende nuk kane dalur.

Kosova ende nuk ka marrë rezultatet e mbi 30 mostrave që u dërguan më 7 dhjetor për testim për variantin e ri Omicron dhe variantet tjera në Gjermani.

Këtë e kanë konfirmuar sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për Express.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë thënë për gazetën se rezultatet e mostrave ka gjasa që mos të vinë gjatë kësaj jave, por që ato do të dalin këtë muaj.

Ndërsa, Xhevat Jakupi, drejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK kishte thënë se analizat që do të kryhen në Gjermani, do të detektojnë variantin Omicron dhe variantet tjera.

 “Mostrat dërgohen atje dhe analizat cilindo variant e detektojnë. Ne dërgojmë në mënyrë të rregullt mostra“, kishte thënë ai.

Varianti Omicron i COVID-19 ka filluar të përhapet në shumë vende të botës.

Shkencëtarët dyshojnë se varianti Omicron mund të jetë më ngjitës se varianti Delta i COVID-19, dhe mund të shtojë numrin e hospitalizimeve.

Omicron ka 86 mutacione në krahasim me 15 të Delta-s dhe me këtë variant po infektohen edhe personat që janë vaksinuar me dy doza të vaksinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka quajtur atë një “variant shumë të rrezikshëm për të gjithë globin”.

Sistemi Britanik i Shëndetit e përshkruan këtë variant si “më shqetësuesin që është parë ndonjëherë.”

Ndonëse ky variant është përhapur në Evropë, Kosova ende nuk ka raportuar ndonjë rast të infektuar me të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme