Kosova është ballafaquar në arbitrazhe ndërkombëtare në 6 raste, ku ka qenë e përfshirë Avokatura Shtetërore. Drejtuesit e saj thonë se 3 nga 6 rastet janë fituar derisa për 3 tjera pritet vendimi në javët në vijim.
Fitorja e fundit ishte ajo ndaj institucionit mikrofinanciar “Iute Credit”. Kjo e fundit kishte paditur vendin për marrje të licencës. Guvernatori Fehmi Mehmeti thotë se kjo fitore ka vërtetuar se BQK-ja ka qenë e sigurt në ligjshmërinë e vendimit të saj por edhe për 13 tërheqjet e licencave dhe lejeve në 5 vitet e fundit.
Me këtë fitore, Kosova ka shpëtuar rreth 30 milionë euro, aq sa ka pretenduar kompania ndaj shtetit.
Në tri rastet të cilat ende janë në proces e sipër, vlera e pretenduar të kompanive që kanë paditur shtetin është rreth 51 milionë euro.
Ish-avokati i shtetit, Sami Istrefi dhe ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj kërkojnë ndëshkime për vendimet e gabuara por edhe shpërblime për ata që marrin vendime të drejta, duke mbrojtur interesin dhe kuletën e shtetit.
Përveç arbitrazheve janë rreth 35 mijë lëndë që avokatura shtetërore ka mbrojtur institucionet brenda vendit. Nga janari i vitit 2019, vlera e fituar nga ky institucion është rreth 22.4 milionë euro, ndërsa vlera e humbur është rreth 7.2 milionë euro.