Është larguar nga Kosova ende pa i mbushur dy vjet dhe mund të kthehet në vend si yll i futbollit. Ka kohë që Elvis Rexhbeçaj lidhet me mundësinë që të paraqitet për përfaqësuesen e Kosovës në futboll.
Rexhbeçaj deri më tash nuk ka luajtur për ndonjë përfaqësuese dhe nuk ka dhënë shenjë nëse do të pranojë të luajë për Kosovën. Por një deklaratë e tij mund të jetë shpresëdhënëse për tifozët e përfaqësueses së Kosovës, transmeton Koha Ditore.
Rexhbeçaj, 22-vjeçar, është lojtar i Bundesligës. Pak lojtarë të Kosovës luajnë në ligat elitare evropiane dhe ardhja e tij vlerësohet se do të rriste cilësinë te Kosova. Rexhbeçaj ditë më parë është huazuar për një vit e gjysmë nga Wolfsburgu te Koelni. Të dy skuadrat garojnë në elitën gjermane.
Në fakt Rexhbeçaj e viziton rregullisht Kosovën.
“Sa herë që udhëtoj nga aeroporti deri në shtëpinë tonë në Gjonaj, zemra ime ngrohet. Kaq e madhe është ndjenja e të qenit në shtëpi”, ka thënë Rexhbeçaj për mediumin gjerman “GA”. “Shtëpia e babait tim është ende në Gjonaj. Ka tre vjet që shkoj atje çdo verë”, ka treguar Rexhbeçaj.
Mesfushori është larguar në moshën dyvjeçare nga Kosova, përkatësisht nga fshati prizrenas Gjonaj. Është larguar në kohë lufte. Wolfsburgu e ka transferuar në moshë fare të re, ndërsa ai ia doli të depërtonte deri në Bundesligë.