Zgjedhjet e djeshme në Kosovë treguan se ka arritur gjenerata e votuesve që nuk përkulet përpara ‘çlirimtarëve’, që lavdinë e djeshme e përdorin për ta ‘mbuluar’ hajninë e sotme! Pra zgjedhjet e djeshme në Kosovë shënojnë dështimin e mendësisë së vetme politike që e njihnin shumica e burrështetasve të ‘Klanit Pronto’ – asaj të robëruesit të deridjeshëm! Me çka ia dolën që Kosovën – djepin e atdhedashurisë dhe shqiptarisë – ta bënin vend nga do vinin edhe lajme rrëqethëse për liridashës të rinj, që burgu i ktheu në shtëpi të vdekur, siç ishte rasti i të riut Astrit Dehari ! Pra, me çka ia dolën që Kosovën ta bënin ‘varrezë masive’ të ëndrrave të vrara rinore!
Dhe e arritën këtë ngaqë Kosovën ‘demokratike’ e ndërtonin sipas mendësisë politike të pushtuesit të deridjeshëm serb, e cila mendësi në thelb kishte parimin se forca e pushtetarit nuk matet nëpërmjet përuljes që tregon ndaj popullit tënd, por nëpërmjet arrogancës dhe armiqve të brendshëm që asgjëson, e të cilët armiq, nëse nuk ekzistojnë, atëherë duhet t’i trillosh!
Po pra, sot në Kosovë ka filuar ‘varrosja’ e kësaj mendësie sunduese, mendësi e cila e flijoi edhe shtetin për të mbetur në pushtet, mendësi e cila duke u ndje inferiore ndaj kundërshtarëve të jashtëm, popullin e mbante në ethet e frikës nga ‘armiqtë e brendshëm’, mendësi që i pru kosovarët në situatë të diferencohen brenda vetvetes, mendësi që arrestonte ‘terroristë’ të llojeve më të ndryshme, vetëm që ta mbulonte të vërtetën se Kosova u bë dhembje e tanishme, që të rikujtonte atë të djeshmen, se Kosova ishte viktimë e keqqeverisjes dhe e atyre që atë e bënë pronë private të veten!
Shkurt e shqip: Kosovën e lënduan dhe dëmtuan rëndë strukturat politike, të cilat nuk e kuptuan se politika që e ka vëlla të keqen, politika që ushqehet nga e keqja, herdo kurdo e helmon tërë shoqërinë! Andaj sot duhet të ndjehen mburrshëm votuesit që e ‘çliruan’ Kosovën nga disa ‘çlirimtarë’ që këtë fole të atdhedashurisë, e bënë vend ku bëhej distancimi mes shqiptarëve besnik ndaj shqiptarisë dhe atyre që dikush ua vrau këtë besnikëri! Andaj urime Kosovës që na e riktheve mburrjen edhe neve që e dimë se ishe, e do mbetet rojtare, e jo ‘tregtare’ e shqiptarisë!