Kosova ka 142 respiratorë

Prishtinë | 20 Mar 2020 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Kosova i ka 142 respiratorë. Kështu ka bërë me dije drejtori i Zyrës Informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.

Ai për Kosova.info se aktualisht sistemi shëndetësor numëron 142 respiratorë, të cilët do të shërbenin për rastet më të rëndë klinike me Covid -19.

Në sektorin publik janë 95 respiratorë, ndërsa në sektorin privat edhe 47 të tjerë.

“Pas takimit që Ministri Vitia ka mbajtur ditë më parë me përfaqësuesit e spitaleve private në Kosovë, ata kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të vënë kapacitetet humane dhe infrastrukturën e tyre shëndetësore në funksion të menaxhimit të epidemisë së Covid-19. Kjo gatishmëri e tyre është mirëpritur nga Ministria, e cila në bashkëpunim me SHSKUK-në dhe njësitë e saj, po mobilizojnë resurset për të krijuar mundësinë që 500 shtretër spitalor të jenë gati për hospitalizim të pacientëve në rast se ka raste që kërkojnë hospitalizim dhe që i tejkalojnë kapacitetet aktuale. Sipas nevojës, kjo edhe mund të dyfishohet”, thotë Hoti.

Sipas Hotit, ngarkesa e infrastrukturës spitalore po tregohet një nga sfidat me të cilat po ballafaqohen disa shtete në menaxhimin e Covid -19, sidomos shtetet që kanë numër të madh të rasteve.

Por, ai tërheq vëmendjen për diçka tjetër që mund të ndihmojë sistemin shëndetësor, duke parandaluar një ngarkesë të tillë të spitaleve dhe infrastrukturës së tyre.

“Nëse qytetarët sot, veprojnë me përgjegjësi duke respektuar masat e ndërmarra nga Qeveria, kufizojnë deri në maksimum lëvizjet, mbajnë distancën sociale, mbajnë higjienën personale dhe kolektive dhe nuk e neglizhojnë situatën sikur po bëjnë disa, do të kishte shumë më pak punë për epidemiologët në terren, infektologët në klinikë dhe sigurisht do ta mundësonin që kapacitetet që janë të rezultojnë të mjaftueshme. Në të kundërtën, nëse nuk dikush ende nuk e ka marrë seriozisht Covidin-19, ta shikojë hartën shteteve të Evropës dhe pasojat e tij atje”, thotë Hoti.

Të ngjashme