Përafrimi i legjislacionit vendës me atë të Bashkimit Evropian (BE) është obligim i të gjitha shteteve që synojnë anëtarësimin në union.
Ndonëse ligjet po mbështet në praktikat evropiane zbatimi i tyre mbetet problem, i tha Ekonomia Online profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Afrim Hoti.
Madje thotë se duhet të kihet parasysh që mos të ketë fusha që nuk mbulohen me ligj dhe harmonizimin e ligjeve kur një çështje rregullohet përmes dy ligjeve.
“Zbatimi i ligjeve është problematika kyçe në këtë drejtim. Vështirësi në kuptimin e zbatimit të ligjeve ka pasur dhe do të ketë. Qeverisjet e mira para së gjithash nënkuptojnë faktin e përcjelljes së zbatimit të këtyre ligjeve dhe adaptimit të situatave të reja në mënyrë që t’i shmangim dy situata. E para, vakuumin juridik, që të mos kemi situatë e cila nuk është e mbuluar me ligj dhe e dyta kolizionin e ligjeve kur një situatë rregullohet përmes dy ligjeve”.
“… çfarëdo legjislacioni që miratohet qoftë në Qeveri apo Parlament ka të bashkangjitur deklaratën financiare pra koston se sa kushton zbatimi i atij ligji dhe sa është i harmonizuar me ligjin e BE-së. Mendoj që në këtë drejtim jemi mirë ndonëse mbetet edhe shumë për t’u bërë sepse po flasim për volum shumë të madh të ligjeve të cilat shteti duhet t’i përafrojë para se të bëhet pjesë e BE-së”.
Tutje ka shtuar Kosova ka nisur një proces të tillë që nga vitet e para të para të administrimit ndërkombëtar, para shpalljes së Pavarësisë.
Por ai thotë se një varg pyetjesh duhet që të ngrihen para se të fillojë hartimi i një ligji, duke filluar nga situata aktuale, kostoja etk, ngase siç thotë ai ligjet mund të mbesin vetëm në sirtarë.
“Parimisht mendoj që është njëri ndër obligimet e shtetit të cilat synojnë të jenë pjesë e BE-së që në mesin e detyrave të veta që kanë të merren me çështje përafrimit të legjislacionit të tyre respektiv me legjislacionin e BE-së. Kosova ka nisur një proces të tillë që nga vitet e para të administrimit ndërkombëtar, para shpalljes së Pavarësisë duke krijuar një celulë nëpër secilin resorë ose departament qeverisës. Një celulë e cila në momentin kur do të propozohej një ligj ose pjesë e legjislacionit, e njëjta do të duhej që të merrte miratimin që i njëjti është i përafruar me ligjin e BE-së”.
“Kemi problematika të theksuara dhe të njëjtat duhet të adresohen. Në kuptimin deklarativ po sepse secila klasë politike që ka qeverisur me vendin deri më tash ka pasur ndër objektivat të palëkundshme integrimin në BE, dhe të paktën në kuptimin procedural procedimi i ligjeve deri më tash ka ndjekur të njëjtën rrugë. Ndërkohë që zbatimi i tyre duhet të merret shumë më tepër në konsideratë”.
“…moment i hartimit të një ligji do të duhej të paraprihej nga një studim i cili do të përfshinte situatën aktuale. Si është situata aktuale? Sa është kostoja e zbatimit të atij ligji dhe vetëm në ato raste do të duhej të procedohej me hartimin e ligjit. Në secilin rast mendojë që institucionet do të rrezikonin të nxirrnin ligje por të njëjtat t’i mbanin në sirtar dhe të mos i zbatonin ndonjëherë”.
Përderisa Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë se Kosova qëndron më mirë se sa vendet e rajonit në aspektin e harmonizimit të ligjeve me legjislacionin e BE-së.
Por sipas tij, Kosova ka shkallën më të lartë të rishikimit të ligjeve ngase çdo dy-tre vjet pothuajse gati secili ligj hyn në rishikim.
Krejt kjo thotë ai ka ndikuar që nuk kemi harmonizim të ligjeve me politikat madhore e njëkohësisht kemi dhe mungesë të harmonizimit të ligjeve ndërmjet vete.
“Fakti që Kosova tani më nuk është në proces të anëtarësimit edhe fakti që e di që ligjet që hartohen në Kuvend të Kosovës duhet me qenë pak a shumë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së mendojë që qëndrojmë mirë në këtë aspekt për shkak që e dimë se nëse nuk i bëjmë tash ligjet në harmonizim me ligjet e BE-së ose me kërkesat e Bashkimit Evropian atëherë herë do kur, kur të fillon procesi i negocimit kemi me pas nevojë. Kështu që mendoj që ne qëndrojmë mirë, ndoshta më mirë edhe se sa vendet e rajonit në aspektin e harmonizimit të ligjeve me legjislacionin e BE-së”.
“Kjo ndoshta edhe falë asaj që e kemi një sindrom të krejt Qeverive që kur vijnë në pushtet partitë politike mundohen menjëherë me marr një rishikim të ligjeve, prandaj kemi gjithmonë çdo legjislaturë numër të madh të ligjeve që rishikohen.
Mundemi me thënë se ndoshta Kosova ka shkallën më të lartë të rishikimit të ligjeve çdo dy tre vjet pothuajse gati secili ligj hyn në rishikim, dhe kjo është në njëfarë mënyre mund të ndikojë që ndoshta nuk kemi harmonizim të ligjeve me politikat madhore e njëkohësisht kemi dhe mungesë të harmonizimit të ligjeve ndërmjet vete”.
Tutje shtojë se Kosova ka “importuar” ligje nga BE-ja duke u munduar të i’u përshtatet dhe kjo është arsyeja se pse po dështon në zbatueshmëri.
“Kosova ka bërë një importim të ligjeve nga jashtë pra nga vendet që janë pjesë e BE-së tash dhe kjo ndoshta mund të jetë edhe problemi i parë që ne kemi në Kosovë një dozë shumë të lartë të mos zbatueshmërisë të ligjeve për shkak se kemi importuar ligje dhe jemi mundu me ju përshtat ligjeve të vendeve të ndryshme në Kosovë, dhe kjo ka ndikuar që një pjesë e madhe e dispozitave ligjore të mos zbatohen sepse ndoshta nuk përkojnë shumë me realitetin çfarë ne e kemi në vend”.
“…thash që Kosovë një dozë shumë të lartë të moszbatueshmërisë të ligjeve për shkak që nuk përkojnë me realitetin. Dhe plot dispozita të ligjeve të caktuara nuk munden me u zbatuar. Shembull kemi ligjin për barazi gjinore në Kuvend të Kosovës i cili përcakton që 50-50 duhet të jetë shkalla e punësimit por njëkohësisht edhe e pozitave vendimmarrëse që i takon gjinisë femërore, e ky ligj në praktikë nuk zbatohet asnjëherë, as në Qeveri, as në Institucione të tjera publike e aq më pak në sektorin privat”.