Kosova ka potenciale për ta zhvilluar “turizmin e aventurës”

Prishtinë | 21 Tet 2017 | 14:34 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ekspertja amerikane e turizmit, Paige Viren, thotë se Kosova mund ta shfrytëzojë turizmin si një mënyrë për zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Viren thotë se Kosova ka kapacitete për të zhvilluar të ashtuquajturin “turizëm i aventurës”, pasi sipas saj vendi ka një kulturë të pasur për ta treguar.

“Turizmi i Aventurës ka mundësi shumë të mëdha. Kur them ‘aventurë’, njerëzit mund të mendojnë për gjërat ekstreme, por nuk është kjo në fakt; aventura nuk përfshinë vetëm aktivitete dhe gjëra që mund të jenë si ecja apo ngjitja në bjeshkë. Ju keni pasuri të mira natyrore, por një pjesë e madhe e kësaj përvoje të aventurës është kultura dhe ju keni këtu kulturë të pasur për ta treguar. Dhe kur vijnë turistët këtu, ata duan ta përjetojnë kulturën”.

“Kjo do të thotë se ka nevojë për vlerën e kulturës që të jetë e mbrojtur, pra restaurimi i vendeve të vjetra historike dhe krijimi i mundësive që njerëzit ta përjetojnë ta zëmë ushqimin e Kosovës, disa nga traditat që keni. Mendoj se ‘turistët e aventurës’ duan përvoja të tilla, pra mendoj se ky segment i tregut ka shumë potencial për Kosovën”, tha ajo.

Dr. Paige Viren ka bërë doktoratën në fushën e rekreacionit dhe burimeve të turizmit në Universitetin Shtetëror të Michganit në ShBA. Hulumtimi i saj është përqendruar në marketingun, komunikimin dhe sjelljen e konsumatorëve në lidhje me turizmin, me një interes të veçantë në udhëtimin e aventurës dhe ekoturizmit. Ajo ka më shumë se 12 vjet përvojë në menaxhimin e industrisë së udhëtimeve dhe ka punuar me organizata si Adventure Travel Trade Association (ATTA).

Ajo ka qëndruar në Kosovë në kuadër të një programi të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, me ç’rast ka takuar dhe diskutuar me organizata turistike, biznese, OJQ, zyrtarë komunalë e të qeverisë qendrore.

Në takimet që ka pasur në Prishtinë, Prizren, Dragash, Gjakovë, Pejë dhe Graçanicë, Viren ka mbuluar temat e zhvillimit turistik, marketingut në turizëm, promovimit të turizmit, etj., si mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe të krijimit të vendeve të punës.

Në një bisedë me agjencinë e lajmeve “Ekonomia Online”, Viren thekson se nga ajo që ka parë gjatë qëndrimit disaditor këtu konsideron se për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm duhet një koordinim më i mirë ndërmjet Qeverisë dhe sektorit privat.

“Mendoj se gjithsesi qeveria luan një rol në industrinë e turizmit. Qeverisë i intereson për ta ngritur ekonominë e Kosovës. Mendoj se operatorët aktualë luajnë një rol të madh, pra mendoj se duhet të ketë njëfarë koordinimi ndërmjet Qeverisë dhe sektorit privat, një lloj partneriteti publik-privat në mënyrë që të identifikohen mënyra ku ato t’i ndihmojnë sektorit privat që të organizohet e të ketë një vend qendror për informacione”.

Kosova mund ta quajë veten si “zemra e Ballkanit”

Krijimi i një platforme që i bashkon të gjithë aktorët për një qëllim të përbashkët do të ishte gjëja e duhur, sipas saj.

“Të kesh një faqe interneti cilësore do ta përmirësonte këtë imazh të Kosovës. Pra aty të jenë fotografitë ë bukura që keni, operatorë të ndryshëm turistikë ku mund t’i merrni informacionet, dmth ekziston njëfarë shkëputje këtu. Qeveria ka nevojë të luajë një rol apo të krijojë njëfarë organi të organizuar midis individëve që bëjnë një punë shumë të madhe për t’i sjellë turistët në Kosovë. Mirëpo mendoj se duhet të ketë njëfarë organizate, apo shoqate, që do të ndihmonte që këto biznese të ndryshme private të bashkoheshin, qoftë ministria që mbulon turizmin, apo ndonjë organizatë, duhet të ekzistojë diçka që i bashkon të gjithë për vizionin e përbashkët që të krijohet një ekonomi krijuese turistike në Kosovë”, theksoi ajo.

E pyetur se cili do të ishte një “slogan” ose “brand” i Kosovës që do të mund të përdorej për t’i tërhequr turistët ndërkombëtar, Viren shprehet se Kosova mund ta quajë veten si “zemra e Ballkanit”.

“Mund ta quani Kosovën si zemrën e Ballkanit. Njerëzit duan të vijnë këtu dhe ka një përvojë të jashtëzakonshme. Ka shumëçka që të bësh në Kosovë, por mungon lidhja e vendeve. Ka shumë pika që duhet të lidhen dhe mendoj se disa nga organizatat turistike apo organet koordinuese me mbështetjen e qeverisë po ashtu do të ishte një mënyrë e mirë për promovimin e kësaj qasjeje rajonale edhe brenda vendit. Nuk po them se nuk duhet të përqendroheni që të jeni pjesë e Ballkanit, por mendoj se zhvillimi i asaj që ekziston në vend nga kjo do të përfitonin të gjithë këtu”.

Nga përvoja e saj gjatë kohës sa ishte në Kosovë, Viren thotë se këtu ka gjëra unike që ia vlen të përfshihen si përvoja turistike.

“Një gjë që është interesante kur je nga një vend e merr si të mirëqenë atë që ke, kurse unë këtu mësova p.sh se si bëhet plisi; kur ishim në Gjakovë. Kjo është interesante, është pjesë e historisë së këtushme dhe e shoh se si mund të përfshihet kjo në një lloj përvoje turistike. Shkuam në dyqan dhe i pamë ata djepat dhe ishte me të vërtetë emocionuese për mua. Ndoshta ju nuk mendoni se kjo është një gjë shumë e madhe, sepse ju jeni nga këtu dhe thua djep është ky, mirëpo ju duhet të mendoni se kjo është interesante për të ia treguar dikujt që vjen nga jashtë”.

“Disa nga kërkimet që kemi bërë për aventurën tregon se mësimi është gjë e rëndësishme kur njerëzit udhëtojnë, mësojnë për gjëra të reja. Pra ekzistojnë mundësi shumë të mira këtu. Ka disa gjëra unike që ndoshta njerëzit duhet të për to në mënyrë të ndryshme se çfarë iu intereson njerëzve e që nuk kërkon që të bësh investime të mëdha, mund t’i japësh punë dikujt në komunitet dhe mund të fillojnë që nga baza për të krijuar një ekonomi që përfiton nga turizmi”, thotë Paige Viren.

Të ngjashme