Sfidat e vërteta për Kosovën nisin të hënën mbrëma (sonte). Përfaqësuesja e Kosovës në futboll përballet me Bullgarinë në ndeshjen e parë të “Dardanëve” në eliminatoret për kampionat evropian. Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 20:45.
Ka entuziazëm të madh për një fillim pozitiv të fushatës së Kosovës në eliminatoret për “Euro 2020”. Me fitore eventuale ndaj Bullgarisë, gjasat janë të mëdha që Kosova menjëherë të dalë në vend të dytë, shkruan sot “Koha Ditore”. Përfundimi i eliminatoreve në vend të dytë do të ishte sukses i jashtëzakonshëm – do të siguronte paraqitjen në kampionat evropian në tentimin e parë.
Në ndeshje ndaj Bullgarisë, Përfaqësuesja futet në moment shumë pozitiv. Të enjten Kosova barazoi 2:2 në miqësore me Danimarkën, ndërsa paraqitja është vlerësuar shumë lart.
Lojtarët e Kosovës kanë shfaqur formë të lartë në skuadrat e tyre në javët e fundit dhe Kosova nuk di për humbje që nga tetori i vitit 2017. Prej atëherë është në seri pozitive prej 11 ndeshjeve, dhjetë prej të cilave me zviceranin Bernard Challandes si përzgjedhës.