Organizata “Let’s Do It Kosova” ka mbajtur konferencë për medie për të njoftuar për aktivitet për Ditën Botërore të Pastrimit 21 shtatori, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i kësaj organizate, Luan Hasanaj, theksoi se Kosova është përzgjedhur të bëjë këtë koordinim për arsye të punës dhe sukseseve të mëdha të organizatës.
Hasanaj ka njoftuar se kanë krijuar qendrën e thirrjeve e cila do të filloj sot në mesnatë, ku nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse mund të kenë qasje për të ditur në lidhje me rezultatet.
“157 shtete koordinohen nga një vend i vogël si është Kosova. Kosova është përzgjedhur ta koordinoj këtë aksion botëror për shkak sukseseve të mëdha. Të gjitha punët e bëra iu kanë bërë përshtypje në Estoni dhe Kosova ka marr mandatin. Këtyre ditëve në Kosovë kanë ardhur aktivistë të botës mjedisor si dhe priten të vijnë edhe shumë media”.
“Ne kemi krijuar një qendër të thirrjeve që do të ndodhë nga sonte ne mesnatë që do të zgjatë deri nesër. Kjo qendër do të jetë në shkollën Finlandeze, ku do të prezantojnë se rezultatet se çfarë po ndodhë. Ne po mundohemi përmes kësaj të prezantojmë vendin tonë, vlerat tona ku do të kemi prezantim në 157 shtetet”, tha Hasanaj.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, tha se nesër Kosova do të jetë shembullin më i mirë për një mjedis të pastër.
“Është nder i veçantë që falë një punë të palodhshme të organizatës, shteti ynë po koordinon aksionin me 157 shtete të botës. Aksioni i nesërm është një shembull i ri që ne jemi të përkushtuar të mbajmë një ambient të pastër. Fondet globale për mbrojtjen e mjedisit duhet të jenë të përbashkëta, dhe kjo është prioritet qeveritar dhe ne kemi mbështetur komunat për të udhëhequr këtë fushë. Nesër Kosova do të jep shembullin më të mirë qytetarë. Iu bëjmë thirrje të gjithëve që nesër të jemi të gjithë së bashku për të ruajtura shëndetin tonë, planetin dhe të ardhmen tonë”, tha ministri Matoshi.
Drejtoresha e Ditës Botërore të Pastrimit, Heidi Solba, tha se bota ka nevojë për ndryshime globale.
“Ne jemi shumë krenar dhe falënderues që nga Kosova do ta udhëheqim ditën e pastrimit të botës. Do të udhëheqim dhe do të koordinojmë më shumë se 157 shtete. Meqenëse jetojmë në një botë e cila ndryshon atëherë ne kemi nevojë të bëjmë ndryshime dhe veprimet tona të jenë globale. Kemi pasur mbështetjen e qeverisë dhe ministrisë prandaj mundohemi që çdo ditë të sjellim impaktin botëror”.
“21 milionë pamje të të gjithë organizatës që i ka krijua Kosova. Shtetet mezi s’po presin të fillojnë pastrimin e botës. Edhe mediet botërore kanë shprehur interesim që të dinë se çfarë do të ndodhë po në këtë ditë”, ka thënë ajo.