Kuvendi i Kosovës, së bashku me Shoqatën “Miqtë e Amerikes”, nxënësit e shkollës së Mesme “Hivzi Sulejmani” në Fushë-Kosovë e shumë institucione të tjera kanë organizuar aktivitete në nderim të viktimave të 11 shtatorit 2001 në ShBA, raporton Ekonomia Online.
Për nder të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit, flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sheshin “Bill Clinton” u zbrit në gjysmë shtizë.
Kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, tha se aktivitetet që do të mbahen sot përçojnë mesazhin e vetëm se populli i Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi janë pranë popullin amerikan jo vetëm në ditë të mira, por edhe në ditë të tilla të shënimit të një ngjarje tragjike.
“Mesazh që ne dërgojmë përmes këtij aktiviteti është qe ne populli i Kosovës e në veçanti populli shqiptar din me i vlerësuar miqtë, atëherë edhe jemi me ta përkrah edhe kur janë në ditët e mira edhe në këto ditë kur kanë një tragjedi të caktuar me të cilin rast pas atentateve që u bën në ShBA, u shkaktuan dëme në njerëz dhe dëme materiale. Veprimet, mesazhet tona janë njerëzore që t`i tregojmë popullit amerikan si dhe gjithë popujve të tjerë që ne populli i Kosovës, veçanërisht populli shqiptar dimë të respektojmë miqtë dhe do të jemi krah i tyre rregullisht”.
Në këtë aktivitet mori Pjesë edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se do t’i qëndrojnë pra përgjithmonë Amerikës.
Ndërsa në mesditë në sheshin “Nëna Terezë”, hapet ekspozita me fotografi dedikuar ngjarjes së 11 shtatorit 2001, dhe fotografi nga aktivitetet e Shoqatës “Miqtë e Amerikës” që i dedikohen kësaj date.