Pa shpresë për kualifikim, por me synim për të ngritur nivelin, përfaqësuesja e Kosovës në hendboll të enjten ka udhëtuar për në Portugali, shkruan sot Koha Ditore.
Në qytetin portugez Povoa de Varzim, hendbollistët e Kosovës prej së premtes (sot) deri të dielën i luajnë tri ndeshjet e fazës së parë të kualifikimeve evropiane për botërorin që vitin tjetër mbahet në Danimarkë e Gjermani.
Vetëm fituesi i grupit kalon tutje, përkatësisht kualifikohet për fazën e plejofit, ndërsa Kosovës nuk i jepen shpresa në grupin e katërt ku janë edhe Polonia, Portugalia e Qipro.
Ndeshja e parë, që luhet të premten (sot) nga ora 18:15, vlerësohet më e vështira për Kosovën. Përballë hendbollistëve të përzgjedhësit Taip Ramadani do të jetë Polonia, që vlerësohet lart në hendbollin evropian dhe që befasisht ka mbetur jashtë Evropianit, që po të premten (sot) nis në Kroaci.