Kosova mban takimin e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, Kurti flet për fondet e Planit të Rritjes të BE-së

Prishtinë | 14 Maj 2026 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Në Qeverinë e Kosovës është mbajtur takimi i parë i Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku ëshët diskutuar për zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në procesin e reformave dhe në zbatimin e marrëveshjeve me Bashkimin Evropian.

“Kosova është ndër vendet e para të rajonit që ka përmbyllur negociatat me Bashkimin Evropian për reformat e planit të rritjes, dhe ne si qeveri kemi miratuar agjendën e reformave me 9 tetor 2024. Mandej, pas një vonese të konsiderueshme për shkak të bllokadës politike, me 13 shkurt sivjet, Kuvendi ka ratifikuar më në fund dy marrëveshje me Bashkimin Evropian: marrëveshjen për instrumentin dhe marrëveshjen për huanë. Ndërkohë, me 19 mars të këtij viti, është marrë vendimi për sistemin e zbatimit, si dhe është bërë emërimi i koordinatorit kombëtar, duke përmbushur kështu aktet ligjore për zbatimin e marrëveshjeve të planit të rritjes. Pas miratimit të këtij vendimi, me 16 prill — pra afërsisht një muaj — kemi filluar të pranojmë fondet e parafinancimit nga plani i rritjes në shumën prej 61.8 milionë eurosh. Vendimi përcakton Zyrën e Kryeministrit si institucion kryesor përgjegjës për integrim evropian dhe koordinator të këtij instrumenti. Ndërkaq, Ministrisë së Financave i janë caktuar funksione kyçe, të cilat ndërlidhen me parakushtet për financim dhe për koordinimin e komponentit të kontrollit të brendshëm dhe të auditimit”, tha ai.

Kurti theksoi se janë krijuar edhe strukturat koordinuese që do të mbikëqyrin dhe zbatojnë Planin e Rritjes në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

“Përmes këtij vendimi, kemi caktuar strukturat koordinuese, përkatësisht strukturat e përbashkëta me Bashkimin Evropian dhe ato vendore. Struktura e përbashkët me Bashkimin Evropian është Komiteti Monitorues BE-Kosovë. Kurse në nivel kombëtar, strukturat ndahen në dy nivele: politik dhe atë teknik.

Në nivelin politik kemi Këshillin Ministror për Integrim Evropian, i cili ushtron funksionin e Komitetit Drejtues për Planin e Rritjes, ndërsa në atë teknik, Komitetin Punues për Integrim Evropian, i cili ka funksionin edhe të Komitetit Zbatues për këtë plan. Këto struktura koordinuese për planin e rritjes kanë filluar të funksionojnë menjëherë pasi që miratuam vendimin e qeverisë dhe në kuadër të tyre po punohet në mënyrë intensive për zbatimin e agjendës së reformave.

Pakoja e planit të rritjes për Kosovën përfshin reformat dhe fondet e Bashkimit Evropian të parapara për Kosovën në shumën e gjithmbarshme prej 882.6 milionë eurosh. Këto fonde, të cilat tashmë kemi filluar t’i fitojmë, do të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët në formë të projekteve investuese të cilat do të zbatohen nga vetë qeveria”, u shpreh Kurti.

Të ngjashme