Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë priti sot në takim Zëvendës-presidentin e ri ekzekutiv dhe përgjegjësin për projektet e shëndetësisë në nivel global të Project Hope nga SHBA, Chris Skopec, me të cilin biseduan për bashkëpunimin që ekziston midis MSh-së dhe këtij fondacioni, mbështetës i shumë projekteve në fushën e shëndetësisë në Kosovë.
Ministri Rrahmani shprehu falënderimin e tij për ndihmën e vazhduar të Project Hope me donancione në barna e pajisje, kryesisht për sëmundje malinje dhe sëmundje të tjera si dhe asistencën teknike që i është ofruar MSh-së dhe institucioneve të vendit nga fondacioni.
“Bashkëpunimi me Project Hope është shembulli më i mirë i një partneriteti të qëndrueshëm që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejt Ministrinë, pacientët e prekur nga sëmundje të ndryshme, familjet e tyre, shoqërinë civile dhe institucionet shëndetësore”, tha Ministri Rrahmani.
Chris Skopec tha se Project Hope punon me 35 shtete të ndryshme, ndërsa Kosova mbetet top-prioritet në fushën e bashkëpunimit, që do të vazhdojë edhe më tej. Ai tha se ndryshimet e bërë në udhëheqjen e Project Hope, nuk do të ndryshojnë bashkëpunimin me MSh-në, i cili do të intensifikohet në fusha të ndryshme. “Është një histori e gjatë bashkëpunimi, që do të vazhdojë”, tha Stopec.
Në takim, në të cilin kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Zyrës së Project Hope për rajonin që është në Shkup, janë diskutuar edhe ide të reja për bashkëpunimin e mëtejmë, ndërkohë që ditët në vijim, do të këtë një donacion të radhës me pajisje për institucionet shëndetësore nga Project Hope.