Qeveria e Kosovës e ka miratuar të hënën një plan 16-pikësh për zbatimin e marrëveshjeve të Washingtonit, të cilat kanë të bëjnë me normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mes tjerash, aty parashihen marrëveshje financiare për ngritjen e projekteve infrastrukturore, veprime në funksion të fizibilitetit të Ujmanit, ndryshimi i një ligji për llogari të Kishës Ortodokse Serbe e nxjerrja e një qarkoreje që kërkon tërheqjen e aplikimeve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Dokumenti, një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA, është hartuar nga Zyra për Planifikim Strategjik në bashkëpunim me ministritë e linjës, pas një udhëzimi për këtë që e ka dhënë kryeministri Avdullah Hoti. Në të janë identifikuar dhe listuar veprimet kryesore dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e pikave të marrëveshjes.
“Duke qenë se për shumicën e pikave ka pasur zhvillime të mëhershme qoftë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian apo edhe disa projekte infrastrukturore kanë qenë pjesë e planeve të Qeverisë së Kosovës, për secilën pikë është bërë një përshkrim i shkurtër i gjendjes aktuale. Kjo qasje do të shërbejë për të informuar partnerët për progresin e arritur dhe për të koordinuar përpjekjet e institucioneve për zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në hyrje të dokumentit. “Tani pritet nga dikasteret që janë nën përgjegjësinë tuaj të merren të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e këtyre aktiviteteve apo veprimeve të dhëna në këtë dokument”.