Sukseset e futbollit të Kosovës çdo ditë e më shumë po e marrin vëmendjen e opinionit jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë e më gjerë.
Paraqitjet dhe rezultatet e arritura nga Përfaqësuesja e Kosovës kanë bërë jehonë edhe në mediat më prestigjioze në botë, derisa seria prej 14 ndeshjeve pa humbje ka bërë që Dardanët të vlerësohen si storie suksesi.
Mirëpo, krahas sukseseve të Përfaqësueses A, edhe ekipet e grupmoshave janë duke bërë paraqitje të mira, duke dëshmuar se futbolli i Kosovës është në rrugën e duhur.
Një gjë e tillë dëshmohet edhe me përparimin që Kosova ka bërë në ranglistën e UEFA-s sa i përket progresit të Federatave Kombëtare.
Festa e futbollistëve të Kosovës U-21 pas një goli ndaj Turqisë
Në fakt, në kuadër të UEFA-s ekziston trofeu “Maurice Burlaz”, çmim që i jepet Federatës kombëtare që ka arritur rezultatet më të mira në garat e të rinjve të UEFA-s gjatë dy sezoneve të mëparshme për U17 dhe U19.
Ky trofe është emëruar sipas Maurice Burlaz, ish-nënkryetare e Komitetit Rinor të UEFA-s.
Në edicionin 2016/17 Kosova ishte në vendin e 55-të (të fundit në ranglistë), kurse tani është në vendin e 43-të, duke përparuar kësisoj për 12 pozita.
Në aspektin e përparimit Kosova është në vendin e 4-t prej Federatave që kanë përparuar më së shumti gjatë periudhës dyvjeçare.