Edhe pse Kosova është pranuar zyrtarisht në Organizatën Botërore të Doganave, Serbia pati përpjekje për ta penguar pjesëmarrjen e saj.
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se sot në Bruksel, Kosova mori pjesë si anëtare e plotë dhe e barabartë e Organizatës Botërore të Doganave në Bruksel, në takimin e Këshillit të OBD-së.
“Përkundër përpjekjeve të Serbisë për të penguar pjesëmarrjen e Kosovës, delegacioni ynë ka ushtruar të drejtat dhe obligimet sikurse të gjithë anëtarët e tjerë. E uroj zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm Kunio Mikuriya nga Japonia dhe Kryesuesin e Këshillit Enrique Cannon nga Uruguai”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në Facebook.
Ai ka shtuar se përpjekjet e tyre nuk do të ndalen asnjëherë për të bërë Kosovën një anëtare të plotë dhe të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare.