Kosova mund “të eksportojë” teknologji informative para resurseve natyrore

Prishtinë | 24 Mar 2019 | 08:01 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, thotë se rruga më e mirë që Kosova të pozicionohet në tregun ndërkombëtar është përmes ekonomisë digjitale dhe teknologjisë informative, më përpara se me resurse natyrore.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Beqaj thotë se teknologjia informative (TI), në vitin 2018 ishte sektori i vetëm në Kosovë që kishte më shumë eksport sesa import.

Kreu i MIN-it ka treguar se javën e kaluar ka prezantuar një projekt rajonal para komisioneres për Ekonomi Digjitale të BE-së, Mariya Gabriel.

“Projekti është për ekonomi digjitale që do ta trajtojë edhe çështjen e biznesit dhe të institucioneve. Do të flasë për ‘Internet of things’, ose ‘Interneti i gjërave’ që bën ndërlidhjen e të gjithë mekanizmave dhe për komunitetet ‘smart’. Pra, ideja është të marrim modele të ndryshme të biznesit të cilat do mundësojnë që teknologjia informative dhe në përgjithësi zhvillimi i ekonomisë digjitale të hyjë në funksion të rritjes së potencialit ekonomik”.

Kur Qeveria Haradinaj kishte themeluar disa ministri, përfshirë Ministrinë e Inovacionit, kishte njerëz që kishin thënë se qëllimi është punësimi i militantëve partiakë.

Por, Beqaj thotë se për një vit e gjysmë janë dëshmuar si shembull për krijimin e një institucioni që do të jetë një nga gjeneratorët e zhvillimit ekonomik të vendit dhe me njerëz të përgatitur.

“Kushdo që ka folur për themelimin e ministrisë për qëllime punësimi ka ose një dashakeqje ose shpirtngushtësi; këtu nuk merremi me atë koncept”, shprehet Beqaj.

Beqaj tha se ministria që ai e drejton me buxhet e ka të lejuar të punësojë një staf prej 52 personave, por ky numër nuk është përmbushur ende.

I pyetur rreth temës së aktualizuar të punësimeve partiake nëpër institucione publike, Beqaj thekson se “elementi më i rëndësishëm është që të merret edhe qasja profesionale e atyre njerëzve, pra kompetenca profesionale”.

Në këtë intervistë, Beqaj flet edhe për hapjen e qendrave inovative nëpër komuna të Kosovës dhe përkrahjen nga MIN-i për bizneset, sidomos ato të rejat.

Beqaj tregon se MIN sivjet ka rreth 12 milionë euro buxhet, mbi 95 për qind e të cilit do të shkojë për përkrahje direkte për biznese (inovative). Për të hequr çdo dilemë keqpërdorimi, MIN-i ia ka transferuar kompetencën që të administrojë tenderët organizatës gjermane GIZ.

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Ekonomia digjitale është shpallur ndër prioritetet e kësaj qeverie. Cilat janë hapat e ndërmarrë, çka është bërë konkretisht deri më tash?

Beqaj: Ministria për Inovacion dhe Ndërmarrësi është ministri e re, është në kuadër të agjendës e cila është për këtë vit zhvillimi ekonomik i shpallur nga kryeministri i vendit. Ne jemi duke tentuar që sa më shumë të ndryshojmë konceptin e mendimit ekonomik në vend, që ekonomia të zhvillohet me resurse humane, me ato që quhen “soft skills” apo njohuritë e buta. Në këtë drejtim, ne tani kemi përgatitur një strategji, të cilën e kemi kaluar në Qeveri. Në vazhdim do të vazhdojmë me Ligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili do t’i adresojë dhe rregullojë çështjet, të cilat deri më tani nuk kanë qenë të rregulluara dhe të cilat kanë të bëjnë me ekonominë digjitale.

Përveç kësaj, ne kemi punuar edhe në konceptin e infrastrukturës fizike dhe infrastrukturën financiare. Pra synimi ynë brenda këtij viti aktiv të punës ka qenë që të kemi një kornizë të mjaftueshme ligjore, por edhe hapësirë fizike të mjaftueshme për njerëz për t’u vendosur dhe për t’i prezantuar aftësitë e tyre; si dhe një përkrahje të mjaftueshme financiare që do të mundësonte zhvillimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë në vend. Këto të tria janë në proces të zhvillimit shumë të mirë.

EO: Cili është bashkëpunimi me vendet e rajonit në fushën e ndërmarrësisë dhe inovacionit?

Beqaj: Kemi bashkëpunim. Kam inicuar një projekt rajonal i cili është prezantuar javën e kaluar para komisioneres për Ekonomi Digjitale të BE-së (Mariya Gabriel). Projekti është për ekonomi digjitale që do ta trajtojë edhe çështjen e biznesit dhe të institucioneve. Do të flasë për “Internet of things”, ose “Interneti i gjërave” që bën ndërlidhjen e të gjithë mekanizmave dhe për komunitetet “smart”. Pra, ideja është të marrim modele të ndryshme të biznesit të cilat do mundësojnë që teknologjia informative dhe në përgjithësi zhvillimi i ekonomisë digjitale të hyjë në funksion të rritjes së potencialit ekonomik. Vitin e kaluar kemi pasur sektorin e vetëm që ka pasur më shumë eksport se sa import dhe kjo po na tregon që ne po shkojmë me hapa gogja të mirë në drejtim të fuqizimit të rinisë kosovare, e cila do jetë pjesë e tregjeve rajonale. Tani jemi në procesin e përgatitjes teknike, parimisht unë kam pasur në kuadër të bashkëpunimit rajonal edhe ministrat e rajonit. 

Besoj që ky është hap i mirë që t’i ndajmë resurset për krijimin e një infrastrukture të ekonomisë digjitale, e cila është e nevojshme për tërë rajonin dhe t’i ndajmë këto resurse që të mos krijon secili me shpenzime të veta por të ketë një racionalitet dhe një bashkëpunim shumë më të mirë. Pra, në këtë drejtim, Kosova është pozicionuar jashtëzakonisht mirë.

EO: Janë hapur disa qendra inovative nëpër komuna të Kosovës. A synohet që të hapet në shumicën e komunave të Kosovës dhe cili është roli i tyre?

Beqaj: Synimin e kemi pasur t’i targetojmë disa qendra kryesore ekonomike dhe ku ka edhe universitete. E kemi lidhur konceptin e ekonomisë digjitale ngushtë me universitetet sepse hulumtimi dhe zhvillimi i tyre dhe lidhja e tyre me ekonominë është rruga më e mirë e mundshme për të qenë konkurrentë në treg. Tani më presim që qendra e Ferizajt të funksionalizohet së shpejti, sepse janë kryer gjitha procedurat nga Komuna. Në UP ne e kemi bërë hapin, është formuar bordi drejtues i qendrës dhe së shpejti aty presim që t’i pajisim qendrën me pajisje të nevojshme. Në ndërkohë kemi vazhduar bashkëpunim me Pejën. Edhe atje jemi në proces e sipër sepse duhet ta pajisim me pajisje ne si ministri. Së fundi kemi marrë edhe angazhimin për qendrën në Mitrovicë – në Universitetin e Mitrovicës. Strumbullar i të gjitha aktiviteteve në infrastrukturën fizike është Parku për Inovacion dhe Trajnim në Prizren, ku e kemi kampin ushtarak i cili është shndërruar në Park Gjerman-Kosovar për Inovacion dhe Trajnim. Një hapësirë e madhe, një hapësirë që fokusohet në teknologjinë informative, në turizëm dhe në bujqësi dhe inovacionet të cilat do ta rrisin produktivitetin dhe qëndrueshmërinë ekonomike të këtyre sektorëve.

Kemi bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ; realisht është bashkëthemelim i Qendrës mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Gjermanisë. Kjo Qendër do të menaxhohet disa vite nga GIZ-i, në mënyrë që ta ruajmë kredibilitetin dhe qasjen e mirë ndërkombëtare dhe ftesën për projektet dhe inovatorët e rinj të cilët mund të vijnë dhe ta bëjnë inkubimin në Kosovë, në Prizren në rastin konkret.

EO: Kur është formuar Ministria e Inovacionit, por edhe disa ministri të reja, ka pasur njerëz që kanë thënë se qëllimi është punësimi i militantëve partiakë. A e ka arsyetuar veten formimi i MIN-it?

Beqaj: Besoj që kushdo që ka folur për themelimin e ministrisë për qëllime punësimi ka ose një dashakeqje ose shpirtngushtësi, këtu nuk merremi me atë koncept. Ekonomia e botës po zhvillohet në mënyrë të jashtëzakonshme të shpejtë në fushën e ekonomisë digjitale në globalizimin, pjesë e të cilit jemi tashmë. Realisht vendi ynë e ka rrugën e vet dhe e them pa asnjë lloj hezitimi është rruga e vetme për t’u pozicionuar mirë në tregun vendor dhe ndërkombëtar përmes ekonomisë digjitale, teknologjisë, rinisë është shumë më e fuqishme sesa resurset natyrore. Unë besoj në këtë, e kam marrë me përkushtim të jashtëzakonshëm themelimin e ministrisë… Ne nuk e kemi marrë përgjegjësi administrative, si krijues i politikës nuk kam dashur të marrë përgjegjësi të tilla sepse qëllimi ynë ka qenë të bëjmë politika zhvillimore për sektorin privat dhe ekosistemin e inovacionit dhe ndërlidhjen e inovacionit me ndërmarrësinë.

EO: Sa është tani numri i të punësuarve në ministri dhe a keni nevojë për staf shtesë? Meqë është temë aktuale, do të doja një vlerësim tuajin rreth punësimeve partiake në institucione publike në përgjithësi?

Beqaj: Sa i përket punësimeve, nuk e di saktë sa njerëz janë të punësuar për momentin. Ne i kemi 52 të lejuar me buxhet, nuk besoj që janë plotësuar, ndoshta janë diku 33-34…

Punësimet në Kosovë janë bërë temë dhe besoj se elementi më i rëndësishëm është që të merret edhe qasja profesionale e atyre njerëzve, pra kompetenca profesionale. Në Ministrinë për Inovacion, përveç qasjes profesionale në kuptimin politik nuk ka pasur ndikime, e them me plot gojën. Këtu hyjnë njerëz që me të vërtetë janë të kohës në kuptimin e përgatitjes profesionale, e qasjes, njohjes së problematikës. Si ministri e re varemi nga njerëzit, ministria nuk varet nga ministri, sekretari, as kabineti politik. Kabineti politik e ka një detyrë, të krijojë politika e këto politika të zhvillohen pastaj nga stafi. Kështu që në këtë drejtim besoj se kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi shembull në kuptimin e krijimit të një institucioni që do të jetë një nga gjeneratorët më të fuqishëm të zhvillimit ekonomik të vendit me njerëz që janë të përgatitur.

EO: Të flasim pak për dhënien e fondeve për bizneset, sidomos të reja. Sa janë ndarë deri më tani, sa fonde janë të parashikuara të jepen dhe kush mund të jetë përfitues?

Beqaj: Përfitues mund të jenë prej inovatorëve, do të thotë njerëzit që kane ide inovative deri te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ne edhe vitin e kaluar dhe këtë vit kemi praktikuar “Matching Funds” (bashkimi i fondeve) dhe kemi bashkuar fondet tona për ndërmarrje të vogla dhe të mesme me GIZ-in që nënkupton ata e kanë dhënë 1.2 milion euro ne i kemi dhënë 1.2 milion euro, ndërsa tërë procedura prej shpalljes, vlerësimit, administrimit të procedurave bëhet nga GIZ-i. Pra kemi dashtë edhe këtu të japin një kredibilitet një shembull që në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar ne të bëjmë një punë plotësisht transparente në këtë drejtim.

Vitin e kaluar kanë marrë edhe organizatat joqeveritare, kanë marr startup-et. Për startup kualifikohet secili person që ka ndonjë ide, që ka ndonjë ndërmarrje ose pretendon me e zhvillu një ndërmarrje të re. Një sasi e fondeve që nuk janë ndarë vitin e kaluar janë kthyer në buxhetin e vendit… Për këtë vit buxhetin e kemi rreth 12 milionë euro. Mbi 95 për qind e buxhetit shkon për përkrahje direkte. Prapë këtë vit ne kemi një partneritet strategjik me gjermanët. Tani jemi në proces të nënshkrimit të një marrëveshjeje me ta për partneritet strategjik që nënkupton fonde për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, që do të administrohen komplet nga GIZ-i. Pra, ne ua kemi dhënë këtë kompetencë që ata t’i shpallin tenderët, ata do t’i bëjnë vlerësimet, ata do t’i marrin dokumentet, do të merren me listat… Pse e kemi bërë këtë? Po e them prapë, sepse dëshirojmë ta ruajmë kredibilitetin e shfrytëzimit të parasë publike. Për startup-e, të premten është mbyllur ftesa. Aty do të jenë komisionet edhe që përfshihen nga organizatat joqeveritare edhe nga ekspertiza dhe nga fakultetet. Unë nuk e di në çfarë faze saktësisht janë, sepse të gjitha procedurat administrative kryhen nga pjesa e administratës që udhëhiqet nga sekretari i ministrisë.

EO: A ka gjasa që fondet të keqpërdoren?

Beqaj: Nuk kemi pasur probleme, nuk parashikoj asnjë lloj problemi. Ka transparencë të plotë. Në shoqërinë tonë nganjëherë lajmet bëhen më shumë duke i dhënë një orientim për klikime (nëpër portale), fatkeqësisht… Është e natyrshme qe mediet, ne si ministri, shoqëria civile, pjesa e botës akademike, është e interesuar me avancu rininë, me avancu formën e konkurrueshmërisë në ndërmarrjet tona në vend. Ju bëj ftesë publike të gjithëve që gjërat që janë të mira të prezantohen si të mira, e gjërat të cilat janë të këqija të prezantohet si të këqija. Por po ndodh shpesh që ka informacione që janë të pasakta; nuk po flas për MIN-in por në përgjithësi, kemi shumë situata të tilla në vend që janë duke e dëmtuar gogja imazhin tonë.

Të ngjashme