Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) po pasurohet me një garë të re, në të cilën do të paraqitet edhe Kosova.
Bëhet fjalë për kampionatin evropian në futsall (futboll i sallës) për lojtarët deri 19 vjet. Prej të martës (sot) zhvillohen garat në raundet preliminare të kualifikimeve, shkruan Koha Ditore.
Janë vetëm dy grupe në raundin preliminar, ndërsa fituesit e tyre kualifikohen për raundin kryesor kualifikues. Kosova bën pjesë në Grupin B së bashku me Suedinë, Qipron e San Marinon.
Në Grupin A janë Mali i Zi, Greqia, Lituania e Andorra. Ndeshjet e Kosovës U-19 luhen në San Marino, ndërsa delegacioni kosovar të hënën ka udhëtuar për në këtë vend. Të martën (sot) Kosova luan me San Marinon nga ora 18:30.
Të mërkurën është ndeshja me Suedinë, ndërsa të premten me Qipron. Nëse eventualisht fiton grupin, Kosova në raundin tjetër do të jetë së bashku me Azerbajxhanin, Slloveninë e Holandën. Kosova U-19 është formuar në fund të vitit të kaluar, ndërsa përmes një grumbullimi është bërë përzgjedhja e lojtarëve.
“Jemi plotësisht të vetëdijshëm që ne jemi themeluar pak kohë më parë si kombëtare e kësaj grupmoshe dhe nuk kemi pasur shumë kohë të përgatitemi sa duhet dhe sa kërkon kjo garë kualifikuese. Sidoqoftë kemi një atmosferë te këta djem dhe një entuziazëm të jashtëzakonshëm për një paraqitje sa më të mirë dhe dinjitoze. Do të japim maksimumin dhe mbetet të shihet. Do të jetë një përvojë e mirë, ndërsa e dëshirojmë edhe rezultatin e mirë”, ka thënë përzgjedhësi Suad Keçi.
Futsalli është në rritje në Kosovë, por numri i lojtarëve të rinj nuk vlerësohet shumë i madh. Evropiani i këtij viti do të mbahet në Letoni në muajin shtator.