Kosova do të mundohet sërish të lërë gjurmë në Kampionatin Evropian të Xhudos, që fillon sot në Poloni, shkruan sot gazeta Zëri.
Prej gjashtë reprezentuesve tanë, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi kanë gjasa të mëdha që të fitojnë medalje në Varshavë. Këtë paralajmërim e jep edhe vetë trajneri i tyre, Driton Kuka. Kurse, Majlinda thotë se është mësuar ta menaxhojë presionin e të qenit favorite
Xhudistët kosovarë pritet të jenë protagonistë në Kampionatin Evropian të Xhudos, i cili fillon sot në Varshavë të Polonisë dhe që zgjat tri ditë. Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Fjolla Kelmendi, Loriana Kuka e Akil Gjakova janë gjashtë garuesit kosovarë, të cilët synojnë të jenë të suksesshëm në këtë eveniment prestigjioz.
Nga ta trajneri Driton Kuka pret më së shumti nga treshja tashmë e famshme dhe e njohur për medalje, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi.
“Kandidatë për medalje janë Majlinda, Nora e Distria”, u shpreh fillimisht Kuka për “Zërin”.
Mirëpo, ai nuk i lë pa përmendur edhe garuesit tjerë, të cilët nëse jo medalje, mund të arrijnë rezultate të kënaqshme në Poloni. Për Lorianën dhe Fjollën ky do të jetë një debutim në Evropian. “Akili është në rritje si garues, çka tregojnë garat e fundit, por ta shohim së pari shortin. Loriana e Fjolla për herë të parë marrin pjesë dhe për to është përvojë e re. Do të ishte mirë të arrijnë ndonjë fitore”, shtoi trajneri i suksesshëm kosovar.
Edhe pse ende nuk ka filluar cikli i pikëve të vlefshme për normë olimpike, për Olimpiadën e “Tokyos 2020”, i cili fillon në vitin 2018, suksesi eventual në Evropian ka rëndësi të madhe po ashtu për garuesit kosovarë.
“Pikët e fituara janë të vlefshme për ranglistë botërore. Çdo fitore është e rëndësishme për garuesit tanë, të mos flasim për medaljet”, ka vazhduar Kuka.