Kosova shtrihet në një zonë tektonike, ku lëkundjet e tokës mund të jenë të shpeshta dhe të fuqishme. Tërmetet e ditëve të fundit në Shkup, kanë prekur edhe Kosovën, dhe qytetarët e Prishtinës thonë se i kanë ndjerë dridhjet e të paktën një prej disa tërmeteve që goditën kryeqytetin maqedonas.
Përfaqësues të autoriteteve kompetente të Sizmologjisë në Kosovë thonë se nuk e përjashtojnë mundësinë që Kosova të goditet nga tërmete të forta.
Zonat më të rrezikuara nga tërmetet në Kosovë janë Istogu, Peja dhe Prizreni, megjithëse Vitia, Ferizaj dhe Gjilani janë zonat që edhe në të kaluarën janë prekur nga goditjet tektonike. Brenda 15 vitesh në Kosovë kanë ndodhur dy tërmete me mbi 5 shkallë të Rihterit, një me pasoja të rënda në Gjilan.
Shemsi Mustafa, nga Rrjeti Sizmologjik i Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se bazuar në hartën e rrezikut sizmik në Kosovë nuk priten tërmete katastrofike apo shkatërruese, por mund të ketë tërmete, siç quhen, të forta, që arrijnë në 6.2 shkallë të Rihterit.
“Duke u bazuar në rrjetin sizmiologjik dhe hartës së rrezikut sizmik, Kosova nuk rrezikohet nga ndonjë tërmet katastrofik apo shkatërrues total, por sipas hartës mund të ndodhin tërmete të mëdha ose siç i quajmë ne tërmete të forta. Nëse janë të përgatitura mirë drejtoritë e urbanizimit dhe komunat në ndërtimin e objekteve, nuk do të ketë rrezik për qytetarët e Kosovës”, thekson Mustafa.
Por, saktësisht çështja e ndërtimit në Kosovë është më shqetësuesja.
Ndërtesa të shumta banimi të ndërtuara pas luftës në Kosovë janë të dyshimta për nga cilësia e ndërtimit, stabiliteti dhe siguria. Pranimet teknike, të cilave do të duhej t’u nënshtroheshin ndërtesat në të shumtën e rasteve, nuk janë bërë nga autoritetet kompetente në Kosovë.
Kriteret e përcaktuara me ligjin për ndërtim mund të mos jenë përfillur nga kompanitë ndërtuese në Kosovë, gjë që e bën edhe më të dyshimtë cilësinë e këtyre objekteve banimi.
Florin Grajçevci, ekspert i inxhinierisë së ndërtimit dhe profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se pikërisht këto objekte që kanë ulur standardet e ndërtimit mund të pësojnë më së shumti në rast të tërmeteve, të cilat mund ta godasin Kosovën.
“Dhashtë zoti e të mos bie tërmet në Kosovë. Ky tërmeti i fundit në Maqedoni që u dëgjua edhe në Kosovë dhe tërmeti që ishte në Gjilan kohë më parë kanë dëshmuar për cilësinë e dobët të ndërtimeve në përgjithësi edhe në Gjilan. Por, Prishtina është e atakuar në kuptimin e shumë ndërtimeve dhe sipërfaqeve të objekteve ekzistuese”, thotë eksperti i ndërtimtarisë Florin Grajçevci.
Grejçevci thotë se komuniteti i arkitektëve është i shqetësuar për mënyrën e ndërtimit që është bërë në Kosovë në 17 vitet e fundit.
“Kohët e fundit ka ndërtime të mëdha, në veçanti në Prishtinë dhe ato ndërtime janë duke u bërë të larta. Shqetësimin e kemi në lartësinë e objekteve më shumë sesa në zhvillimin e tyre me etazhitete më të vogla. Jemi të shqetësuar në lidhje me stabilitetin tyre dhe sigurinë e tyre sa i përket fushës së inxhinierisë së ndërtimit”, thotë Grajçevci.
Objektet e larta, por edhe shtëpitë në Kosovë, shton Grajçevci, janë të ndërtuara pa projektin e sizmikës, dhe për këtë thotë ai se institucionet shtetërore duhet të kenë parasysh që këto objekte duhet të rivlerësohen në kuptimin e stabilitetit, sa i përket sizmikës.
Që nga viti 2004, Kosova ka Ligjin për Ndërtim, me të cilin përcaktohen rregullat e ndërtimit të të gjitha objekteve ndërtimore në Kosovë dhe në bazë të tij një objekt ndërtimi duhet t’i plotësojë kriteret minimale për mbrojtjen e shëndetit publik, sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme.
Ligji, sipas ekspertëve të inxhinierisë ndërtimore, në të shumtën e rasteve mund të mos jetë përfillur për faktin se ndërtuesit mund të kenë ulur koston e ndërtimit, duke reduktuar materialet që futen në ndërtim.
Ndërkohë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë e Kosovës është në hartim të një legjislacioni të kompletuar për sektorin e ndërtimit.
Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Ferat Shala,i ka thënë Radios Evropa e Lirë se të gjithë këto objekte do t’i nënshtrohen fazës së legalizimeve.
Ai bën të ditur se nuk kanë të dhëna të sakta se në çfarë niveli janë objektet ekzistuese, por që sipas tij, pas fazës së legalizimit asnjë objekt i cili nuk i plotëson kriteret në kuptimin e stabiliteti dhe cilësisë nuk do të legalizohet.
“Në momentin që të krijohet baza legjislative ne do të kalojmë në fazën e legalizimeve dhe faza e legalizimeve nënkupton një proces teknik inxhinerik dhe juridik që do të bëjë verifikimin e çdo objekti veç e veç se sa i plotëson kushtet.”
“Përveç aspektit legjislativ, juridik edhe kushteve profesionale dhe teknike, këtu hyn edhe çështja e stabilitetit dhe cilësisë së ndërtimit. Vetëm deri atëherë do të dimë saktë se ku do të jemi”, thekson Shala.
Aktualisht, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, prinë me ndërtimet, qoftë pa leje dhe mbi të gjitha me ndërtime të reja, në pothuajse secilën pjesë të saj. Autoritetet nuk dhanë shifra të sakta të këtyre ndërtimeve, megjithëse ende nuk kanë arritur të vendosin një rregull ndërtimesh. (REL)