Përfaqësuesja e Kosovës në futboll (femrat) të hënën (sot) do t’i nisë përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese për kampionatin Evropian të vitit 2021 kundër Turqisë dhe Holandës.
Ndaj Turqisë futbollistet e Kosovës luajnë të enjten në Manavgat, derisa më 27 tetor luajnë ndaj gjigantes botërore, Holandës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Të dyja ndeshjet, përzgjedhësja e “dardaneve”, Afërdita Fazlija, i ka cilësuar të vështira. Por, ajo pret rezultate pozitive në të dyja ndeshjet.
Fazlija ka ftuar 21 lojtare, përfshirë edhe lideren Modesta Uka. Por, sulmuesja e skuadrës, Sturm Graz, nuk do të mund të bashkohet me Kosovën për shkak të shtrëngimit të masave nga shteti i Austrisë në luftën kundër koronavirusit.
“Janë dy ndeshje të vështira, për faktin se luajmë në udhëtim ndaj Turqisë dhe pastaj në Prishtinë kundër Holandës. Edhe më të vështirë e bën numri i lojtarëve që janë jashtë vendit e që nuk mund të vijnë, si në rastin e Modesta Ukës që kemi konfirmimin se nuk mund të vijë për shkak se qyteti ku jeton ajo ka marrë masa drastike në luftën për koronavirus. Jemi pa disa lojtare të ekipit bazë. Mungon edhe Besarta Leci, e po ashtu edhe Besarta Hisenaj. Megjithatë, ne në Turqi do të udhëtojmë për rezultat pozitiv”, ka thënë Fazlija të dielën për kohen.
Ajo pranon se telashet janë të mëdha. Nuk ka pasur asnjë grumbullim që nga ndeshja kundër Estonisë, ndeshje të cilën Kosova e fitoi muajin e kaluar në Prishtinë, me rezultatin 2:0.
“Prej ndeshjes me Estoninë nuk kemi mundur të ushtrojmë dhe këtë mundësi do ta kemi qysh nga nesër (e hënë v.j.). Mendoj se kundër Turqisë kemi gjasa të bëjmë lojë të mirë, duke llogaritur që deri nesër (e hënë v.j.), kur edhe do të udhëtojnë lojtaret që luajnë jashtë vendit, nuk do të ketë ndonjë ndryshim të situatës. E, sa i përket ndeshjes me Holandën, nënkampiones së botës dhe kampiones së Evropës, do të ketë dallim për nga kualiteti, këtë duhet ta pranojmë. Holanda e ka siguruar kualifikimin, e ne shpresojmë që mos të ketë angazhim maksimal nga ato për shkak të angazhimit për Lojërat Olimpike dhe aktiviteteve të tjera. Për ne me rëndësi është që ta nxjerrim më të mirën. Ndaj Holandës nuk do të jemi të barabartë, por nuk do ta presim me flamur të bardhë”, është shprehur Fazlija.