Ka një narrativë të rreme sot në botë që përpiqet ta paraqesë Iranin si viktimë të agresionit. Kjo narrativë që po dëgjohet edhe në opinionin publik kosovar, nuk qëndron përballë realitetit në terren.
Bëhet fjalë për një shtrembërim të qëllimshëm të fakteve në terren dhe një përpjekje për të justifikuar një rol rajonal destabilizues dhe destruktiv të regjimit iranian.
Prej vitesh, Irani është i akuzuar për ndërhyrje direkte dhe indirekte në vendet fqinje, përmes mbështetjes së aktorëve joshtetëror dhe nxitjes së konflikteve e tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme. Këto ditë dhe javë, Irani ka kryer sulme të vazhdueshme ushtarake ndaj fqinjëve të tij, vendeve të Gjirit, duke shkatërruar caqe civile përfshirë edhe aeroporte, infrastrukturë ekonomike dhe energjetike.
Shumë nga këta zëra që shohin Iranin si viktimë, poashtu përdorin si justifikim kauzën palestineze. Sa i përket çështjes palestineze, është fakt dhe jo propagandë se ajo është përdorur në mënyrë të përsëritur si instrument politik dhe strategjik nga Irani, për të shtrirë ndikim e tij në rajon. Palestina asnjëherë nuk ka qenë kauzë humanitare për regjimin e Iranit, siç ka qenë dhe është për vendet e Gjirit.
Në këtë kuadër, opinioni publik në Kosovë duhet të bëj dallimin mes kauzave humanitare dhe instrumentalizimit politik të tyre.
Për shtetin tonë, është thelbësore të ruhet parimi i mbështetjes së popujve dhe jo i legjitimimit të regjimeve, duke mbrojtur njëkohësisht partneritetet strategjike ekzistuese.
Se këndejmi, partneriteti me vendet e Gjirit mbetet shtyllë kyçe e politikës së jashtme të Kosovës, ndërsa qasja parimore ndaj të drejtave të popujve dhe proceseve demokratike duhet të mbetet e pandryshuar. Rrjedhojë e kësaj qasje, më lejoni të ua përkujtojë, është njohja që erdhi nga Siria.
Populli i Kosovës ka qendruar dhe vazhdon të jetë pranë vendeve mike të Gjirit, Arabisë Saudite, Emirateve, Katarit, Kuvajtit, Bahrejnit,etj., duke vlerësuar marrëdhëniet e qëndrueshme të bashkëpunimit, partneritetit dhe mbështetjes së ndërsjellë.