Kolegji Riinvest ka organizuar tryezë diskutimi ku u debatua për “Raportin e Bankës për vendet e Ballkanit Perëndimor 2019”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë debat u tha se nëse vendet e Ballkanit do të donin të mbërrijnë shkallën mesatare të punësimit me vendet me të ardhura mesatare, do të duhej të krijonin edhe 2.8 milionë vende të reja të punës, ndërsa nëse dëshirojnë të arrijnë mesataren e BE-së, do të duhej të krijonin edhe 3.7 milionë vende të punës.
Endrit Pllashniku nga Kolegji Riinvest ka prezantuar raportin “Statistikat e raportit të Bankës Botërore” ku sipas tij papunësia është problemi kryesor. Ai tha se duke u bazuar në një anketë nga Banka Botërore, papunësia në rajon sidomos në Kosovë dhe Bosnje është e lartë.
Ai tha se 62% e të anketuarve preferojnë të punësohen në sektorin publik.
“Rritja ekonomike nuk përkthehet në vende të reja të punës krahas rritjes ekonomike, prej 4.2% kemi rritje shumë të zbehtë të vendeve të punës 2.8 milionë vende të punës nëse duam me i mbërri vendet me të ardhura mesatare, ndërsa krahasim me BE-në 3.7 milionë vende të punës duhet të krijohen për me ndjek trendin botëror”, tha ai.
Ai me tutje tha se punësimi ne industri ka ra ndërsa është rritë në tregti, në TIK dhe sektorin publik.
Venera Demukaj, nga RIT Kosova, ka thënë se Kosova është vendi i vetëm në rajon ku paga në sektorin publik është dukshëm më e madhe se ajo në sektorin privat krahasuar me vendet e rajonit.
Ajo duke e komentuar raportin e prezantuar tha se investimet kapitale nuk sjellin punësim edhe nëse krijohen janë afat shkurta.
Alban Zogaj nga Kolegji Riinvest ka paraqitur rekomandimet kryesore të Bankës Botërore.
“Banka Botërore i ka 5 rekomandime kyçe dhe na japin një ide të mirë: rekomandimi i parë është medoemos me e ruajt makrostabilitetin fiskal; Rekomandimi i dytë lidhet me reformat që Kosova duhet të bëjë në programin e asistencës sociale; Rekomandimi i tretë lidhet me investimet që duhet të bëhen në kapitalin human dhe këtu Banka Botërore jep një fokus të veçantë; Rekomandimi i katërt lidhet me rritjen me efikasitetin e institucioneve publike, ku Qeveria e Kosovës dhe donatorët duhet të rritin efikasitetin e tyre Një problem që nuk e kemin pasur deri më tash e që ka filluar të dal në pah është ngarkesa administrative. Kosova del të ketë nivelin e ngarkesës administrative në sektorin privat, më të lartin në rajon. Dhe, rekomandimi i 5-të është përmirësimi i qeverisjes koorporative dhe sundimit të ligjit”, tha ai.
Profesori Muhamet Mustafa tha se nëse shikohet pjesëmarrja e Kosovës në buxhet, ajo qëndron në vendin më të ulët në krahasim me vendet e Ballkanit.
“Të dhënat për paga, investime kapitale, shërbime sociale, Kosova ndan për paga pak më shumë se Shqipëria, por më pak se sa Bosnja e Mali i Zi. Për shërbime sociale, Kosova ndanë më së paku, e për investimet kapitale ndanë më së shumti”, tha ai.