Zyrtarët e Qeverisë se Kosovës kanë thënë se janë shtuar fondet e Rusisë në Kosovë. Valon Murtezaj nga Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se fondet ruse janë investuar në fusha të ndryshme pa specifikuar se ku saktësisht kanë shkuar paratë e Moskës në Prishtinë. Sipas tij, krejt këto investime kanë qëllim destabilizimin e Kosovës.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Valon Murtezaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se përpjekjet e Rusisë për të dominuar në rajon tashmë janë të qarta.
Në këtë kontekst, sipas tij, përpjekjet për shtrirje të influencës ruse edhe në Kosovë, janë evidente.
“Ka të dhëna për fonde të shtuara nga ana e Rusisë, në fusha të ndryshme të veprimtarisë. Ajo që ka qenë shumë evidente është mbulimi mediatik i ngjarjeve nga mediet e fuqishme ruse, të cilat shpeshherë pastaj edhe i kanë shtrembëruar realitetet, ashtu siç u ka konvenuar atyre, ne i kemi pasur disa raste, brenda në Kosovë, por edhe në rajon”, thotë Murtezaj.
Por, autoritetet e Kosovës kanë shprehur dyshimet se veprimet e Serbisë, si dhe serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, në fillim të këtij viti, kanë reflektuar influencën ruse, të paktën në mentalitetin politik të tyre. Zëvendësministri Murtezaj i quan këto veprime si mjaft provokuese.
“Ne i kemi parë dy gjestet e fundit që kanë qenë super-provokuese: treni në veri dhe përpjekja për ndërtimin e murit. Ju e keni parë që ai tren është quajtur edhe si ‘treni rus’. Pra, të gjitha këto na bëjnë që të besojmë për përpjekjen e Rusisë që të shtrijë ndikimin apo që të destabilizojë. Pra, të shkaktojë një konflikt destruktiv”, thekson Murtezaj.(REL)