Kosova pjesë e “Ditëve të veprimit të përbashkët-Ballkani Perëndimor”

Prishtinë | 06 Shk 2017 | 20:37 | Nga

58 arrestime dhe 48 armë zjarri të konfiskuara në veprim të përbashkët kundër trafikut të armëve në Ballkanin Perëndimor.

Nga 27 janar deri më 29 janar, autoritetet e zbatimit të ligjit nga 19 shtete, së bashku me Frontex dhe Europol, bashkuan forcat për të trajtuar trafikimin e armëve. Gjatë një operacioni të përbashkët 3 ditor e koordinuar nga Qendra Operative e Europolit në Hagë, janë kryer kontrolle fizike, kryesisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor, njofton Zyra për Informim e PK-së.

Qendra Operative e Europolit ka qenë dëshmitare e shkëmbimit të informatave në mes të autoriteteve pjesëmarrëse lidhur me kontrollet në pikat kufitare të njerëzve dhe automjeteve, konfiskimet dhe hetimet e bëra. Rreth 246 000 subjekte janë kontrolluar nga vendet pjesëmarrëse, duke përfshirë 219 000 njerëz dhe 14 800 automjete.

Si rezultat i veprimeve, janë konfiskuar 48 armë zjarri si dhe 833 copë municion, 4 granata dore dhe rreth 500 gram eksploziv plastik. Përveç kësaj, ishte konfiskuar drogë në katër shtete, që arrijnë në rreth 505 kg marihuanë dhe 53 MDMA (substanca psikotropike). Po ashtu është parandaluar Kontrabanda e mallrave të tjera si 765 pako cigare, 0.8 kg duhan i pa përpunuar dhe një automjet të vjedhur.

Në total, janë arrestuar 58 persona në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe 127 persona iu ndalua të hyrja në pikat e ndryshme kufitare. Përveç kësaj, institucionet e zbatimit të ligjit kanë identifikuar gjashtë përpjekje për hyrje klandestine, 12 raste të qëndrimeve përtej afatit kohor si dhe 8 raste të përpjekjeve të falsifikimit të vizave/dokumenteve.

Gjatë veprimeve, një sasi e konsiderueshme e informacionit është shkëmbyer në sajë të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm në mes vendeve pjesëmarrëse, Frontex-it dhe Europol-it. Ekspertët e Europolit kanë ofruar në kohë reale shkëmbimin e informacionit, analizën dhe përpunim e të dhënave të mbledhura.

Zyrtarët nëpër pikat e ndryshme kufitare në Ballkanin Perëndimor janë ndihmuar nga Frontex. Ky veprim ishte pjesë e operacionit “Ditët e veprimit të përbashkëta – Ballkani Perëndimor”, të planifikuara nën kornizën për armët e zjarrit “EMPACT”.

Vendet pjesëmarrëse: Shqipëria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Holanda, Rumania, Serbia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Britania e Madhe dhe SHBA (ATF – Byroja e alkoolit, duhanit, Armëve të Zjarrit dhe eksplozivëve).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme