Kosova pranon pjesën e parë të ndihmës 5-milionëshe nga BE-ja

Prishtinë | 30 Pri 2020 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka pranuar sot pjesën e parë të ndihmës emergjente prej 5 milionë eurosh, e ndarë nga BE-ja.

Ambasadorja Natalia Apostollova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, ia dorëzoi ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, pakon e parë me 5 kamionë materiale të ndryshme.

Kjo ndihmë për luftën kundër COVID-19, përfshin mbi 1.4 milionë dorëza të ndryshme mbrojtëse mjekësore, 4 mijë mburoja për fytyrën, 3 mijë syze mbrojtëse, 4 mijë litra dezinfektues duarsh, 10 mijë palë shtroje një përdorimshe, dhe 50 kuti për transportimin e mostrave laboratorike.

“Ky është momenti kur mund të ofrojmë mbështetje konkrete të Bashkimit Evropian për njerëzit në nevojë dhe profesionistët e shëndetësisë, ata që janë në vijën e parë të kësaj pandemie – në luftë për të shpëtuar jetët e njerëzve”, tha Ambasadorja Apostolova, thuhet në një komunikatë të MSH-së.

Apostolova tha se furnizime tjera mjekësore, pjesë e ndihmës emergjente prej 5 milionë eurosh, do të dorëzohen gjatë javëve të ardhshme.

“Përveç kësaj ndihme direkte për sektorin e shëndetësisë, BE-ja po përgatit edhe rreth 63 milionë euro si masa afatmesme për ndihmë për grante socio-ekonomike, si dhe rreth 100 milionë euro kredi si ndihmë makro-ekonomike për Kosovën”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme