Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka thënë se pret që Serbia të dënohet nga Federata Botërore dhe Evropiane e karatesë për bllokimin që u bëri karateistëve kosovarë për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të mbajtur këtë muaj në Novi Sad.
Në Interaktiv të KTV-së, Hasani ka thënë se veprimi i Serbisë, që nuk lejoi kosovarët të hyjnë në shtetin serb për të marrë pjesë në Evropian, është i dënueshëm me çdo akt normativ të Federatës Botërore dhe Evropiane.
“Përtej dënimit më intereson edhe kompensimi që t’iu bëhet karateistëve. E kanë humbur shansin që të marrin pjesë në Kampionatin Evropian. Pjesëmarrja për një sportist aty është e rëndësisë shumë të madhe. Ka pas rëndësi edhe për Lojërat Olimpike”, është shprehur Hasani.
Ai ka thënë se pala kosovare ka deponuar të gjithë përshkrimin e ngjarjes dhe Hasani pret që të merren masa ndaj Serbisë.
Sipas Hasanit, Kosova vazhdimisht ka përkrahjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe se në shumë raste arrihen marrëveshje që lehtësojnë pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në aktivitetet që mbahen në shtetet që s’e njohin Kosovën.
Hasani ka thënë po ashtu se Kosova pret që të ketë më shumë sportistë pjesëmarrës në Lojërat e ardhshme Olimpike “Tokio 2020”.
“Shpresoj që të kemi më shumë sportistë me normë olimpike. Edicionin e kaluar patëm tri norma olimpike, por dy udhëtuan sepse Distria ishte në kategorinë e njëjtë me Majlindën dhe u përcaktuam që ajo të marrë pjesë. Gjashtë të tjerë ishin të ftuar. Pres tash së paku katër-pesë me normë olimpike. Dikush nga karateja, dikush nga boksi e tre apo katër nga xhudoja. 19 sportistë janë që u ndihmojmë me bursa e edhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Hasani ka thënë se Kosova së shpejti do të ketë suksese edhe në sportet kolektive dhe jo vetëm në ato individuale.
I pari i sportit në Kosovë ka folur edhe për problemin me Federatën e Taekwondos, ku KOK-u e njeh njërën federatë, ndërsa një tjetër njihet nga ministria dhe ka fituar rastin në Gjykatë.
“Është problem real sepse në bazë të ankesave që kanë bërë kanë ardhur në verdikt të formës së prerë dhe gjykata e ka njohur një përbërje krejt tjetër që e ka njohur komiteti olimpik, që iu është nënshtruar të gjitha procedurave të KOK-ut dhe për ne ekzistuese është Federata që ka kontinuitet. Këtë të renë, ministria ua ka lëshuar licencën dhe tani janë dy federata. Njërën e njeh ministria, e njërën KOK-u. Ujdia që është arritur është që këto dyja të mbajnë kuvend të përbashkët zgjedhor që të mos mbesin klubet e shpërndara”, ka shtuar Hasani.