Kosova prijëse në botë për përkrahjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

Prishtinë | 08 Mar 2019 | 12:51 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fondacioni “Jahjaga” ka organizuar konferencën ndërkombëtare ““Zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

Drejtuesja e këtij fondacioni, Atifete Jahjaga, ka thënë se falë ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë kanë dalë në pah përjetimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë.

Ajo tha se për më shumë se 20 vjet, këto gra po bëjnë krejt çfarë munden të bëjnë për vendin, familjen dhe rrethin e tyre përderisa bartin barrën dhe frikën nga paragjykimet, traditën e ndarjes së dhimbjes për të cilën tha se mburren si vend.

Jahjaga tha se duhet marrë shembull Vasfije Krasniqi-Goodman dhe familjen e saj.

“Ajo që ka ndodhur nuk është faji i saj dhe nuk është turpi i saj. Sot Vasfija e ka një familje të mirë, dy vajza që e marrin shembull nënën e tyre. Një shoqëri që e raporton dhunën dhe nuk e mbron atë është një shoqëri më e fortë. Le të jemi pranë tyre për përkrahje emocionale dhe për procesin e gjatë për të kërkuar drejtësi. Ne që i njohim e dimë se ato janë shumë më shumë se sa përjetimet e tyre”, tha ajo.

Jahjaga u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtarë që të vazhdojnë të përkrahin Kosovën dhe viktimat e dhunës seksuale në realizimin e kërkesës së tyre për dënimin e atyre që kryen këto vepra.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj,  tha se Kosova është e gatshme dhe i kupton viktimat e dhunës seksuale pasi siç tha ai Kosova ka vlera të larta familjare dhe njerëzore.

“Jam i bindur që Kosova është e gatshme dhe i kupton krejt me qenë afër viktimave seksuale. Shembullin e mirë e gjejmë te të gjitha aktivistet. Si Qeveri e Kosovës ju them se jemi të vetëdijshëm për këtë temë. Shprehi gatishmërinë që të bashkëpunojmë ngushtë me mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë. Shërimi i kësaj plage, dhënia e përkrahjes, çlirimi nga ajo vuajtje është bazë e mirë me i shëru krejt plagët. Pjekurit e një shoqërie më së miri ishin vërejt nga amnistia e një vepre kaq të keqe, mendojë se kjo është në dobi të gjithë popujve qe askush mos ta amnistojë një vepër të tillë”, tha Haradinaj.

“…E ardhmja e Ballkanit, e fëmijëve, e gjithë neve asnjëherë të mos na përgatitën befasi të tilla, plagë të tilla, të marrin njëherë e përgjithmonë mësim”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, duke folur për dhunimin seksual gjatë luftërave nëpër botë tha se Kosova është shembull i përkrahjes për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Kosova tashmë shihet si një shembull i praktikës më të mirë për përcaktimin e pensioneve për këtë kategori. Iu inkurajoj që të vazhdoni me mbështetje për të mbijetuara dhe të ofrojnë më shumë përkrahje dhe ndihmë individualisht”, tha ai.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, tha se Kosova ka krijuar ambient ku ofrohet mbështetje për të mbijetuarat e dhunës seksuale . 

“Dy fusha për te siguruar qasje në drejtësi për viktimat nga pakica të ofrohen shërbime dhe te përfshihen edhe te pensionet shpreh mirëkuptimin se viktimat duhet të gëzojnë barazi. Dhe po ashtu kërkoj vëmendje më të madhe për viktimat e dhunës në familje”, tha ai.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairì O’Conell, tha se Kosova është prijëse në botë për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale.

“Zëri i të mbijetuarve është i fuqishëm dhe duhet ta dëgjojmë. Ndihem i pavlerë në cilësinë e folësit para jush në krahasim me zërat që do të dëgjoni gjatë luftës. Nuk është lehtë, por ajo që duhet ta kemi parasysh është që t’i trajtojmë të dhunuarat si viktima dhe dhunuesit si kriminel. Kosova ka marrë hapa dhe është prirjes në botë. Le të festojmë sot, por mbi te gjitha t’i dëgjomë zërat e tyre se mbi të gjitha janë të fuqishëm”, tha O’Conell, raporton EO.

Të ngjashme