“Kosova s’funksionon si shtet, andaj po vjen ushqim i dobët”

Prishtinë | 26 Mar 2018 | 20:58 | Nga

Para debatit që pritet të mbahet në Kuvend të Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar me shefin e Agjencisë së Ushqimit të Kosovës në Puls të KTV-së.

Sipas deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, skandali i fundit me mish të prishur, i cili kishte ardhur nga Belgjika, duhet të shërbejë si ogur i mirë për institucionet e vendit. Ajo ka thënë se skandali duhet të detyrojë që institucionet të kthejnë vëmendjet kah gjërat e duhura.

Edhe deputeti Salih Salihu, i Grupit të Deputetëve të Pavarur, ka thënë se në Kosovë nuk funksionon kontrolli i ushqimit. Sipas tij, shtetet e kanë kuptuar këtë dhe për këtë arsye po dërgojnë ushqime pa afat në Kosovë.

“E kanë kuptuar se në Kosovë nuk funksionon shteti dhe kanë provuar të dërgojnë gjithçka. AUVK është më i rëndësishëm se AKI-ja sepse bëhet fjalë për shëndetin. Po i bëjnë dëm popullit sepse nuk po i kryejnë detyrat”, është shprehur Salihu.

Enver Hoti i Nismës është shprehur se kontrolli i cilësisë së ushqimit në vend është nën çdo nivel. Sipas tij, përpos problemit me kontrolle ushqimore, në Kosovë nuk kontrollohen as barnat.

Ndaj gjitha këtyre deklaratave ka reaguar, Valdet Gjinovci, shef i AUVK-së. Ai ka thënë se kjo agjenci ka treguar efikasitet edhe më herët me gjetjen e ushqimeve të pa afat dhe të prishura.

“Për mishin nga Belgjika, ka qenë AUVK që ka lajmëruar agjencinë e Belgjikës. Kjo nuk është hera e parë. Edhe në vitin 2016 në rastin e parë kemi njoftuar për mish me afat të skaduar. Informacioni jonë ka qenë i saktë edhe atë kohë. Më 2016 janë asgjësuar mbi një milion kilogramë ushqim”, është shprehur Gjinovci.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme