Përfaqësuesja e Kosovës në futboll në konkurrencë të femrave të martën mbrëma do ta zhvillojë ndeshjen e radhës kualifikuese për Evropianin e vitit 2021.
Për kundërshtare Kosova e ka Slloveninë, ndeshje e cila luhet nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija ka thënë se ekipi i saj e ka marrë veten pas humbjes së thellë të pësuar me rezultatin 5:0 në Gjermani kundër Rusisë. Fazlija shpreson në ndeshje më të mirë përballë Sllovenisë, kundërshtare të cilën e cilëson si më të fortë sesa Rusinë.
“Jemi mundur te rikuperohemi këto dy ditë nga ajo ndeshje me Rusinë. Në atë ndeshje mendoj se ndikoi goli i hershëm i pësuar. E kemi analizuar ndeshjen me Rusinë dhe ka qenë e pafalshme se nga çfarë gabime kemi pësuar golat. Futbollistet u munduan të kthehen, por nuk patën fat në realizimin e golave. Jemi rikuperuar mirë dhe shpresojmë të bëjmë lojë më të mirë ndaj Sllovenisë”, ka thënë Fazlija për “Koha Ditore”. “Slloveninë e vlerësojmë më shumë se Rusinë, por në këtë ndeshje do të mundohemi ta shfrytëzojmë përparësinë e terrenit vendas dhe me përkrahje të publikut të arrijmë rezultat pozitiv. Pres të mos i përsërisim gabimet e ndeshjes së ditëve më parë”.
Kosova ka zhvilluar katër ndeshje në Grupin A të eliminatoreve për Evropianin 2021. Ka fituar dy ndeshje dhe humbur dy. Pas katër ndeshjeve zë vendin e katërt me gjashtë pikë.