Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ende vlerësohet të jetë shumë larg nivelit për të garuar në një ngjarje të madhe. Por kualifikimet ua mundësojnë hendbollistëve që të kenë përballë edhe përfaqësueset më të mëdha të botës. Kështu, një prej përfaqësueseve më cilësore në botë, ajo e Gjermanisë, do të luajë të dielën mbrëma në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Ndeshja Kosova – Gjermania, që nis në orën 19:30, i takon fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2020”. Në fazën e dytë Kosova ka kaluar përmes një rruge dytësore, por tani hendbollistët kosovarë do të kenë privilegjin të kenë përballë një superfuqi të sportit. Ka fare pak gjasa që Kosova të shmangë humbjen, ndërsa ndeshja ndaj Gjermanisë për të gjithë lojtarët vlerësohet më e madhja në karrierë, shkruan sot Koha Ditore.
Gjermania është bindshëm përfaqësuesja më e madhe në hendboll që luan në Kosovë. Edhe në sportet e tjera, përfaqësuese të mëdha kanë luajtur në Kosovë apo me Kosovën vendëse. Kështu në basketboll, në kualifikimet e para të Kosovës, ato për “Eurobasket 2017”, në Mitrovicë kishte luajtur Sllovenia. Sllovenët kishin fituar me rezultat 91:81 ndaj Kosovës.
Sllovenia e kishte fituar grupin, ndërsa Kosova kishte mbetur e fundit. Më pas sllovenët fituan titullin e Evropës, në atë fushatë që kishte nisur pikërisht me një ndeshje ndaj Kosovës në Lubjanë. Ndërkohë në eliminatoret për Botërorin e vitit 2019, Kosova kishte pritur Lituaninë në Prishtinë, që po ashtu vlerësohet superfuqi e basketbollit.
Lituanët, ndonëse pa lojtarët kryesorë, kishin fituar në Prishtinë para një viti me shifrat 99:61. Lituania ka dy medalje të bronzta olimpike, një medalje të bronztë botërore dhe tre tituj evropianë, të fundit në vitin 2003.