BB: Kosova e vetmja në Ballkan që stagnon në rritje ekonomike

Prishtinë | 27 Sht 2016 | 11:34 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rritja ekonomike po forcohet nga 2.2 për qind në vitin 2015 në 2.7 për qind në 2017 në Evropën Juglindore e krijuar nga kërkesa vendore, ndërsa në Kosovë po ndodhë e kundërta, ajo do të bie nga 3.9 për qind në vitin 2015 në 3.6 për qind në vitin 2016.

Kështu konstatohet në një raport të publikuar sot të Bankës Botërore (BB). Kjo organizatë kredibile parashikon që  rritja ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të përshpejtohet në 3.2 për qind vitin e ardhshëm ndërsa 3.6 për qind më 2018 duke iu falënderuar mbulimit të konsumit të brendshëm, rritjes së investimeve dhe shtimit të eksportit.

Ekonomisti i BB-së, Agim Demukaj, tha se kjo rritje është solide dhe e ngadaltë.  Sipas tij, rritja ekonomike e mjaftueshme për Kosovë do të ishte 7 për qind për zhvillimin ekonomik dhe uljen e papunësisë. Ai tha se ka rënie të investimeve të huaja për këtë vit si shkak i dështimeve të privatizimit të Brezovicës dhe Telekomit të Kosovës.

Demukaj tha se buxheti do të ketë për këtë vit dhe vitet e ardhshme presion buxhetor nga numri i madh i veteranëve.

Banka Botërore vlerëson se investimet e huaja direkte u zvogëluan për shkak të pasigurisë politike me një rënie prej 36%, derisa zvogëlim shënuan edhe dërgesat e diasporës.

Sipas Bankës Botërore, deficiti fiskal u përmirësua në vitin 2015 në 2.1 për qind, por përkeqësohet prapë në vitin 2016 në 2.5 për qind për shkak të skemës së veteranëve e cila rrezikon edhe në vitet në vijim.

“Duhet kthyer stabilitetin fiskal dhe duhet vazhduar me reformat strukturore që ndikojnë në rritjen e produktivitetit”, ka thënë ekonomisti i Bankës Botërore Agim Demukaj.

Edhe pse rritja ekonomike ndihmoi në rënien e papunësisë, megjithatë ajo mbetet e lartë.

“Papunësia në Kosovë u zbrit paksa në 32.9 për qind në vitin 2015, nga 35 për qind një vit më herët. Mosaktivizimi në fuqi punëtore, rritja ekonomike si dhe emigrimi së bashku prodhuan këtë rezultat”, ka thënë Demukaj.

Sipas tij, borxhi publik në Kosovë rritet edhe pse mbete ende i ulët krahasuar me vendet e rajonit. Deri në vitin 2018 në 17.3 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV).

Ndërsa sa i përket sektorit financiar, Demukaj thekson se ky sektor performon mirë, duke parë që kreditë joperformuese u zbritën në 5.3 për qind, derisa kreditë u rritën 7.3 për qind në vitin 2015 dhe 9.2 për qind në korrik të 2016-ës. Kurse depozitat u rritën 9.1 për qind.

banka boterore1

Për Serbinë, Banka Botërore për vitin 2016 parasheh një rritje ekonomike prej 2.5 për qind nga 1.8 sa kishte parashikuar më parë.

Megjithatë, banka ka ulur parashikimin për Maqedoninë, nga 3.7 në 2 për qind për shkak të krizës së brendshme politike që ka frenuar investimet.

“Pasiguria politike mund të vazhdojë të rëndojë mbi perspektivat e rritjes në Maqedoni dhe Kosovë”, thekson raporti.

“Mbështetës i përshpejtimit të rritjes ishte Serbia, ekonomia më e madhe në rajon”, tha Barbara Cunha, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe autore kryesore e raportit.

“Serbia lëvizi nga rritja 0.7 për qind në vitin e kaluar si pasojë e përmbytjeve të vitit 2014 në rritjen e pritshme prej 2.5 për qind këtë vit”, shtoi ajo.

Ekonomitë e tjera në rajon pritet të mbajnë rritjen në mes 2.8 dhe 3.6 për qind në vitin 2016, me përjashtim të një ngadalësimi në IRJ të Maqedonisë. Në shumë vende, rritja është përkthyer në vende pune. Punësimi u rrit me 4.7 për qind në Serbi dhe 6.7 për qind në Shqipëri në gjysmën e parë të vitit 2016.

“Rritja e fuqishme ka filluar të ketë ndikim pozitiv në varfërinë dhe papunësinë në rajon”, ka vënë në dukje Ellen Goldstein, drejtoresha rajonale e Bankës Botërore për Evropën Juglindore. “Ndërsa niveli i papunësisë mbetet i lartë, rreth 25 për qind mesatarisht, shkalla e papunësisë ka rënë në pesë nga gjashtë vendet e Evropës Juglindore këtë vit”, theksoi ajo.

Raporti arrin në përfundimin se rajoni ka vazhduar me rritje përkundër mjedisit të vështirë evropian dhe global.

agim demukaj

Të ngjashme