Pjesa dërmuese e popullatës në Kosovë konsiderohet e varfër, një numër shumë i vogël i të pasurve dhe pjesa tjetër të varfër ekstrem, ndërkohë sa i përket shtresës së mesme, ekspertët e çështjeve ekonomike e vënë në pikëpyetje ekzistimin e saj në Kosovë.
Ekspertët vlerësojnë se punëtorët në administratën publike, në sektorin e shëndetësisë, arsimit, policia, stafi universitar, komuniteti i medieve, e ai artistik, të cilët do të duhej të konsideroheshin të shtresës së mesme në Kosovë marrin paga të ulëta që rrjedhimisht nuk arrijnë të hyjnë në këtë shtresë.
Familja pesëanëtarëshë Sylejmani, thotë të ketë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar një jetë mesatare, por, sipas Veronës, anëtare e kësaj familjeje, çmimet në tregun e Kosovës janë gati të njëjta me çmimet në tregjet evropiane, atje ku siç thotë ajo paguhen tri herë apo më shumë sesa në Kosovë.
“Me të ardhurat mujore që ne si familje marri, do të duhej të arrinim të jetonim një jetë dinjitoze pa pasur probleme ta kalojmë muajin, por janë çmimet e larta të cilat ta pamundësojnë të jetosh një jetë me standard mestar”, thotë Verona.
Në anën tjetër, profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thekson se rreth 8 deri në 10 për qind e popullatës në Kosovë, përballet me varfëri të skajshme që konsumojnë më pak se 1 euro në ditë, derisa 35 për qind e popullatës jetojnë nën linjën e varfërisë dhe në ditë nuk konsumojnë më shumë se 2 euro.
Sipas tij, kjo pasqyrë tregon se afër 50 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në zonën e varfërisë
“Neve, si klasë e qartë në kuptimin e lartësisë së të ardhurave personale, na paraqitet klasa e të varfërve. Ne do të donim që të zërë vend klasa e punëtorëve, klasa e ndërmarrësve si një kualitet i ri i ekonomisë së tregut, por që si e tillë kjo shkallë ende nuk është krijuar”, thekson profesor Sadiku në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.
Edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës flasin për një gjendje jo të mirë ekonomike të familjeve në Kosovë.
ASK-ja, në të dhënat e fundit të publikuara, vë në pah se 17.6 për qind e popullsisë së Kosovës jeton nën kufirin e varfërisë, me 1.82 euro në ditë dhe 5.2 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë së skajshme me 1.30 euro për të rritur në ditë.
Mesatarja e pagave në Kosovë nuk është më e lartë se 400 në muaj, derisa në vitin 2015, konsumi për ekonomi familjare në Kosovë kishte qenë 7.503.
Po ashtu, në hulumtimet që janë bërë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ishte thënë se ekonomitë familjare shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale -faturat, mirëmbajtjet e rregullta etj.
Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë se duke u nisur edhe nga këto të dhëna dhe gjendja reale ekonomike në vend, mund të thuhet se pjesa dërmuese e popullatës në Kosovë janë të varfër.
“Është pikëpyetje nëse ka shtresë të mesme në Kosovë duke marrë parasysh standardin jetësor, në të cilin jetojnë qytetarët e Kosovës me çmimet që janë të krahasueshme me vendet e BE-së dhe më të ardhura dukshëm më të ulëta. Nëse do t’i përdornim kriteret e Bashkimit Evropian, shtresa e mesme në Kosovë nuk do të ekzistonte, do të konsiderohemi të gjithë të varfër”, thekson Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Në hulumtimet e bëra nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ishte theksuar se më shumë se gjysma e ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 eurosh përmes burimeve vetanake.
Po ashtu, më shumë se gjysma e ekonomive familjare në Kosovë në vitin 2015, nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë të ushqyerit çdo të dytën ditë shujtën me mish, pula, peshq apo ushqim vegjetarian.
Derisa, gjatë viteve 2014-2015, 73 për qind të ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një pushim vjetor njëjavor.
Gjendja jo e kënaqshme ekonomike e qytetarëve të Kosovës, për sociologun Fadil Maloku, është shqetësuese. Në një prononcim dhënë kohë më parë Radion Evropa e Lirë, sociologu Maloku ka thënë se në Kosovë janë thelluar dallimet në shtresa.
Sipas tij, nuk ekziston shtresa e mesme, por vetëm shtresa e pasur dhe e varfër.
“Problemet sociale dhe ekonomike në Kosovë, janë probleme që vazhdimisht po thellohen duke u krijuar një distancë klase midis shumë të pasurve dhe të varfërve. Kjo mund të prodhojë situatë të pakëndshme acaruese. Por, që këto situata nuk shprehen, pasi që elita politike në mënyrë sistematike po ju japin infuzion qytetarëve duke shpërqendruar vëmendjen me problemet tjera krejt periferike që nuk i përkasin atyre, siç janë problemet politike”, ka theksuar Maloku.
Kosova dy vjet më parë u përball me valën më të rëndë të ikjes të qytetarëve të saj drejt shteteve të BE-së në mungesë të, siç u tha, “perspektivës në vend”.