Kosova është vendi ku Shqipëria ka shënuar përqindjen më të madhe të rritjes së eksporteve për shtatëmujorin e parë të këtij viti.
Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave), gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka eksportuar në Kosovë rreth 143.4 milionë euro mallra, ndaj 115.3 milionë eurove që ka eksportuar në të njëjtën periudhë të vitit 2018, duke shënuar një rritje me 24.4%.
Edhe për muajin korrik të këtij viti Shqipëria ka shënuar rritje për sa u përket eksporteve në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore. Në korrik të këtij viti Shqipëria ka eksportuar në Kosovë rreth 25 milionë euro mallra, ndaj 23.3 milionë eurove që ka eksportuar në korrik të vitit 2018, duke shënuar një rritje prej 7.3%.
Ndërkohë që eksportet e Kosovës në drejtim të Shqipërisë kanë pësuar ulje për shtatëmujorin e parë të këtij viti, gjithashtu edhe për muajin korrik. Në periudhën janar-korrik të këtij viti Kosova ka eksportuar në Shqipëri mallra me vlerë prej 36.53 milionë eurosh, nga 39.4 milionë euro mallra që ka eksportuar në të njëjtën periudhë të vitit kaluar.
Ndërsa vetëm për muajin korrik të këtij viti, Kosova ka eksportuar në Shqipëri rreth 6.1 milionë euro mallra, nga 7.63 milionë që ka eksportuar në korrik të vitit 2018.