Muhamet Gashi nga Qyshku i Pejës, me nënshtetësi Zvicerane, pretendon se bankat në Kosovë padrejtësisht atij ia kanë bllokuar xhirollogaritë bankare për 10 vite.
Gashi nga Zona e Dukagjinit që jeton në Zvicër është kthyer në Kosovë me qëllim që të vendos drejtësi për siç thotë ai mbajtjen e afër 150 mijë eurove të bllokuara në bankën ProCredit Bank e Raiffeisen Bank.
Ai në një bisedë për ‘Indeksonline’ ka treguar se prej vitit 2009 nuk ka arritur të nxjerr asnjë cent nga llogaritë bankare, pavarësisht që si udhëheqës i restoranteve në Zvicër iu kanë nevojitur.
Gashi thotë se ka ardhur për të kompensuar dëmet e shkaktuara për dhjet vjet, jo vetëm biznesit te tij, por edhe reputacionit e tij në publik.
“Kjo është një padrejtësi që mu është bërë për 10 vjet. Nuk kam arritur të tërheq paratë e mia, që i kam fituar më punën time me ndjersë. Kjo pa asnjë shpjegim nga bankat e as nga Gjykata e Qarkut (viti 2009). Pa asnjë alternativë jam sjellë nëpër dy bankat e gjykatë, mirëpo pa përgjigje”, thotë ai, teksa rrëfen historinë e 2009-ës, kur i janë bllokuar paratë.
Në një dokument të cilin e ka siguruar Indeksonline nga Gashi, është vendimi i Gjykatës së Qarkut në vitin 2009.
Gjykata e Qarkut në atë kohë ka dhënë urdhër që personit në fjalë t’i konfiskohet përkohësisht llogaritë bankare me kërkesë të Autoriteteve Zvicerane, nën dyshimin se Gashi ka kryer veprat penale ‘Shantazhim’ e ‘Marrje e Kamatës’.
Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se Gashi është hetuar nga autoritetet Zviceranë në lidhje me veprat e lartpërmendura si dhe ka dëmtuar Haxhi Shalën, një qytetar nga Kosovës, që është pronar dhe menaxher i një kompanie në Zvicër.
Mirëpo, Gashi thotë se pasi autoritetet Zvicerane kanë hetuar pasurinë, kanë vërejtur që të gjitha llogaritë e tij bankare janë legale.
Sipas tij, Haxhi Shala ka shpifur për shkak të një borxhi që i kishte pasur Gashit, e që ky i fundit i kishte kërkuar atij t’ia kthejë paratë.
Po ashtu, në vendimin e Gjykatës thuhet se të gjitha shumat e gjetura në llogaritë bankare të Gashit të konfiskohen për 30 ditë, mirëpo ai për dhjetë vite nuk ka arritur të këtë qasje në llogaritë e tij. Ndonëse, sipas tij, nuk ka pasur ndonjë vendim të dytë nga Gjykata që të mbahen ato të bllokuara për kaq vite.
E për këtë arsyeje, Gashi ka ngritur edhe padi civile për të dy bankat për bllokim të llogarive pa urdhër të gjykatës.
Sipas tij, 150 mijë eurot e tij janë shfrytëzuar nga bankat për qëllime të tyre, derisa i është bërë dëme atij dhe biznesit të tij.
Në këto dy dokumente mund të shihni shumën prej 95 mijë e 749 eurove që kanë qenë të bllokuara në ‘ProCredit’ dhe 45 mijë e 497 euro në “Raiffeisen” e të cilat pronari i ka marrë në muajin prill përkatësisht me 11 dhe 13 prill të këtij viti.
Ndërsa, në maj të këtij viti, viktima Muhamet Gashi ka ngritur padi ndaj dy bankave që sipas tij i kanë mbajtur padrejtësisht të bllokuara llogaritë e tij bankare.
Avokati i Muhamet Gashit, Blerim Prestreshi për Indeksonline ka thënë se kanë ngritur padi për kompensim të fitimit të humbur.
“Më datë 08.05.2018 paditësi z.Gashi ka parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për kompensim të fitimit të humbur kundër të paditurave Raiffeisen Bank dhe ProCredit Bank. Kjo padi është parashtruar mbështetur mbi faktin se të paditurat i kanë mbajtur të bllokuara xhirollogaritë bankare të paditësit për më shumë se 10 vite, pa i dhënë asnjë arsyetim dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Prestreshi.
Prestreshi thotë se me vendimin e ish-Gjykatës së Qarkut është lëshuar vendim për sekuestrimin e mjeteve monetare të Gashit, mirëpo për vetëm 30 ditë nga data e lëshimit të këtij vendimi.
“Është fakt se ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë, kishte lëshuar një vendim për sekuestrimin e mjeteve monetare të paditësit, përmes bllokimit të xhirollogarive bankare, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë nga data e lëshimit të këtij vendimi”, ka theksuar ai.
Sipas tij, bankat edhe pse nuk kanë pasur ndonjë vendim tjetër gjyqësor për vazhdim të xhirollogarive, të njëjtat i kanë mbajtur jashtë afatit të caktuar.
“Mirëpo, të paditurat edhe pse nuk kanë pasur ndonjë vendim tjetër gjyqësore për vazhdim të bllokimit të xhirollogarive të paditësit pas afatit prej 30 ditësh të përcaktuar me vendimin e lartcekur, të njëjtat i kanë mbajtur paditësit xhirollogaritë e bllokuara për më shumë se 10 vite, pa vendim gjyqësore dhe pa bazë ligjore. Kështu të njëjtat kanë tejkaluar autorizimet e dhëna nga gjykata kompetente, respektivisht të drejtën për mbajtje të bllokuara xhirollogaritë bankare të paditësit pas kalimit të afatit prej 30 ditës”, ka thënë mes të tjerash.
Avokati Prestreshi ka thënë se me këto veprime të paditurat i kanë shkaktuar dëme në formë të fitimit të humbur, i cili argumentohet me provat e bashkangjitura padisë. Ndërsa, ka theksuar se paditësi ende nuk ka marrë ftesë nga gjykata kompetente për shqyrtimin e kësaj çështje kontestimore.
Ndërsa, Indeksonline ka dërguar pyetje në adresë të Raiffesen Bank për të kuptuar më shumë për arsyejet e mbajtjes së llogarisë së bllokuar të klientit Muhamet Gashi.
Iliriana Tahiraj, zyrtare për informim në këtë bankë ka thënë se si institucion financiar nuk kanë të drejtë tu japin palëve të treta asnjë informacion.
“Sa i përket kërkesës tuaj për të marrë më shumë informacione për klientin në fjalë, ne nuk mund t’ju ndihmojmë sepse si institucion financiar ne nuk kemi te drejtë t’ju japim palëve të treta asnjë informacion që lidhet me llogaritë e klientëve. Kjo është e rregulluar edhe me ligjet dhe rregulloret përkatëse në Kosovë”, ka thënë ajo.
Mirëpo, ka shtuar se në rast së klientët kanë ndonjë pakënaqësi që lidhet me shërbimet që ofrojnë bankat komerciale dhe nuk janë të kënaqur me trajtimin e rastit nga banka, ata mund të adresojnë rastin e tyre edhe në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, nga Procredit kanë thënë se nuk mund të komentojnë asnjë të dhënë të klientit.
“Sipas rregulloreve të brendshme të bankës dhe ligjit për mbrojtje të konfidencialitetit të dhënave, banka ProCredit nuk mund të zbulojë apo komentoj asnjë të dhënë të klientëve të saj, rrjedhimisht as rastin konkret”, thuhet në përgjigjën e Procredi Bank për Indeksonline.
Indeksonline ka provuar të marrë një qëndrim nga Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me atë se a ka lëshuar ndonjë vendim të dytë bankës për llogaritë bankare të bllokuara, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Muhamet Gashi thotë se nuk do të ndalët derisa dëmet e shkaktuara për 10 vitë t’i kompensoj.
Kjo pasi, ai thotë se e ka dëmtuar shumë jo vetëm në biznes, por edhe imazhin e tij në opinion publik.
Tani, Gashi ka ngritur padi ndaj bankave dhe pret përballje me to para drejtësisë.