Kosovarja vdes në spital pas aksidentit, familjarët mesazh prekës për mjekët

Prishtinë | 10 Kor 2017 | 10:13 | Nga

Familjarët e një gruaje 37-vjeçare, që ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak pas një aksidenti të rëndë, kanë dhënë një mesazh prekës për mjekët, ku shprehin vlerësimin ndaj tyre.

Familja Maloku dhe Bajgora nga Prishtina kanë shkruar këtë mesazh për mjekët e Ushtarakut, që u kujdesën për vajzën dhe nusen e tyre Fatmiren, e cila ndërroi jetë më 7 korrik.

Falënderimi i mjekut dhe mesazhi i familjes së viktimës kur me gjithë dhimbjen njerëzit janë mirënjohës. Përgëzimet më të sinqerta kolegëve të Spitalit Ushtarak!

“I dashuri profesor Dilaver,

Vajza e jonë Fatmirja 37 vjeçe vdiq në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në mëngjesin e ditës e premte,
të datës 7 korrik 2017. Fatmirja e jonë e dashur nuk mundi ti përballojë lëndimet që i mori në aksident komunikacioni. Megjithatë, familja ime Maloku, por edhe familja Bajgora, ku ishte e martuar Fatmirja, ndjejmë obligim moral të ju falënderojmë juve përsonalisht, mjekët: Dr.Luan Nikollari, Dr. Ergen Hodaj si dhe kol. Dr. Rushan Muhameti, për angazhimin profesional të nivelit të lartë, por mbi të gjitha, për mikpritjen vëllazërore që iu afrua në rend të parë Fatmirës si dhe njerëzve tanë që qëndronin pranë Fatmirës. Ata , doktorët bën gjithçka nga ana e tyre, por jo vetëm ata, por i gjithë stafi i spitalit. Vajza e jonë Fatmirja, e ndjeu ngrohtësinë e vëllezërve dhe motrave të gjakut të saj, dhe nuk pati as frikë e as nuk i mbeti merak ta kishim drejtuar diku tjetër, siç na preferonin këtu në Prishtinë, bashkëpunëtorët e shkieve, Beogradin ose Shkupin! Ne ishim të sigurt se askush tjetër nuk ti shëron plagët sikur doktorët e Nënlokës Shqipëri. Doktorët patën konsideratë, duke e kuptuar drejt se te dy familjet Maloku dhe Bajgora jemi familje skamnore, dhe gjithë këto shërbime për bijën tonë Fatmirën i mbuluan vetë. Po dihet se roli i juaj në këtë rast ishte i veçantë. Prandaj, me gjithë dhembjen që kemi për Fatmirën tonë, ne ju falënderojmë nga zemra për gjithë atë që ju e bëtë!
Qofshi me shëndet dhe gëzime në familjet e juaja. Po të kishim adresa interneti do ti falënderonim të gjithë një nga një, por falënderimin po ua përcjellim përmes jush.
Në emër të dy familjeve: Maloku dhe Bajgora, me shumë respekt për Ju, Fazli Maloku- Prishtinë”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme