Kossev: Njërit të arrestuar për sulm ndaj gazetarëve në veri i është caktuar masa e paraburgimit

Prishtinë | 18 Qer 2023 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Serbit Nemanja Vllaskoviq, që u arrestua këtë javë nën dyshime për sulm ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, raporton “Kossev”.

Avokati i Vllaskoviqit, Predrag Milkoviq, ka thënë se klientit të tij i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa ka thënë se ai është dërguar në qendrën e paraburgimit në Podujevë.

Vlaskoviq është arrestuar në Leposaviq dy ditë më parë, nën dyshimin për sulm ndaj gazetarëve më 29 maj.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte postuar një foto me maskë që tha se është Vllaskoviqi. Avokati i të arrestuarit e mohon këtë.

“Ai nuk është ai personi me kapelë, kjo është e vërteta. N.V. qëndron diku në rreshtin e shtatë apo tetë. Ai nuk është sulmues i gazetarëve në asnjë mënyrë, sipas dëshmive tona as që mund të jetë”, tha Milkoviq.

Milkoviq tha se do të dorëzojë provat në gjykatë e po ashtu edhe foton e do të kërkojë lirimin e tij.

Vllashkoviq akuzohet për “shkatërrim ose dëmtim të pronës, nxitje të urrejtjes dhe intolerancës racore, e po ashtu pjesëmarrje në huliganizëm”.

Janë regjistruar mbi 30 sulme në veri të Kosovës ndaj gazetarëve kosovarë në tri javët e fundit.

Të ngjashme