KPK: Kompensimi i viktimave – e drejtë, satisfaksion dhe hap drejt rehabilitimit

Prishtinë | 03 Nën 2017 | 15:42 | Nga

Në kuadër të aktiviteteve të shumta që janë mbajtur për të shënuar ”Javën për të drejtat e viktimave të krimit”, me moton: “Kompensimi i viktimave- e drejtë, satisfaksion dhe hap drejt rehabilitimit”, janë mbajtur tryeza diskutimi nëpër të gjitha prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës, ku është debatuar nga akterët e sistemit të drejtësisë dhe mekanizmave koordinues në lidhje me të drejtat e viktimave dhe kompensimin e tyre sipas ligjit.

Nga takimet e mbajtura nëpër prokuroritë e Kosovës, të cilat përfunduan sot është diskutuar për temat: kompensimi i viktimave, rastet e ndryshme kur viktima ndërron deklaratën, rritja e bashkëpunimit mes mbrojtësve të viktimave dhe prokurorëve, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës si dhe për rimëkëmbje të plotë për viktimat.

Po ashtu, në këto tryeza është diskutuar edhe për një numër të çështjeve, për të cilat si shoqëri në përgjithësi dhe në veçanti si sistem i drejtësisë duhet të punohet më shumë për ta arritur objektivin që viktimat të kenë qasje të barabartë dhe trajtimin e duhur në drejtësi dhe që njëkohësisht të mundësohet kompensimi sipas ligjit që tani ka filluar të implementohet dhe ato të rimëkëmbën më lehtë nga vuajtjet e përjetuara.

“Java për të drejtat e viktimave të krimit”, e cila shënohet për të tetën herë në vendin tonë, ka për qëllim respektimin e viktimave të krimit dhe ngritjen e vetëdijes për të drejtat e tyre dhe është organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në tryezën e fundit të organizuar në Prizren, kryesuesi i grupit punues për organizimin e javës së viktimave Basri Kastrati, në emër të kryeprokurorit të shtetit e shpalli të mbyllur “javën për të drejtat e viktimave të krimit” si dhe falënderoj të gjithë akterët për kontributin e tyre në mbrojtje të viktimave të krimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme