KPK reagon pasi zv.ministri i Drejtësisë i quajti prokurorët kriminelë, kërkon distancim ose do të ndërpritet komunikimi

Prishtinë | 22 Tet 2021 | 22:40 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), është thellësisht i shqetësuar me deklaratat e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, të bëra përmes një statusi në Facebook, ku i quan prokurorët kriminelë.

“Deklaratat e zëvendësministrit të Drejtësisë janë linçuese, tendencioze, paragjykuese dhe kanë për qëllim dëmtimin e sistemit prokurorial. Nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklaratat e tilla do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional”, thuhet në reagimin e KPK-së.

“Prokurori i Shtetit siguron opinionin se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media, dhe çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore”.

Këshilli Prokurorial i Kosovës thekson se si organ i pavarur kushtetues nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë interferim nga askush për çfarëdo interesi personal, grupor apo politik të cenojë integritetin e sistemit prokurorial.

Të ngjashme