KQZ: Auditimi i shpenzimeve të fushatës bëhet nga auditorë që i përzgjedhë Kuvendi

Prishtinë | 30 Dhj 2019 | 10:45 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për katër muaj Kosova nuk kishte Kuvend funksional, pasi në fund të gushtit ky institucion u shpërbë duke i hapur rrugën zgjedhjeve që u mbajtën më 6 tetor, raporton Ekonomia Online.

Deputetët e legjislaturës së shtatë që doli nga këto zgjedhje u betuan vetëm një muaj pas certifikimit të rezultatit, pra më 26 dhjetor.

Në mesin e tyre, përveç agjendës legjislative, është edhe përzgjedhja e auditorëve për auditimin e raporteve të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore. Këto raporte janë dorëzuar në KQZ nga subjektet politike që morën pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë për Ekonomia Online se auditimi i raporteve të shpenzimeve të fushatës nuk është detyrë e këtij institucioni.

 “Koha se kur do të bëhet auditimi i raporteve të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk varet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.

“Ligji për Financimin e Subjekteve Politike e ka qartësuar se këto raporte auditohen nga auditorë që i përzgjedhë Kuvendi i Kosovës përmes Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Pra, auditimi i këtyre raporteve nuk është detyrë e KQZ-së dhe sigurisht se këto raporte do të dorëzojë sapo të kërkohet një gjë e tillë”.

Subjektet politike që morën pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit kanë pasur për obligim që 45 ditë pas ditës së zgjedhjeve të dorëzojnë në KQZ raportet e shpenzimeve të fushatës zgjedhore.

Ndryshe nga herët tjera, në fillim të muajit dhjetor KQZ-ja ka publikuar këto raporte për subjektet politike si dhe formularët e kandidatëve që u zgjedhën deputetë.

“Subjektet politike, 25 sosh, të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit i kanë dorëzuar me kohë raportet e deklarimit financiar për shpenzimet të cilat i kanë bërë gjatë fushatës zgjedhore”.

“Me qëllim të rritjes së transparencës, KQZ-ja ka publikuar në ueb faqe këto raporte. Këto që i kemi publikuar nuk janë raporte të audituara dhe natyrisht se edhe raportet pas auditimit do të publikohen”, tha Elezi për EO.

Të ngjashme