KQZ-ja akrediton rreth 360 vëzhgues për zgjedhjet e 23 prillit

Prishtinë | 20 Pri 2023 | 10:33 | Nga Artiona Çitaku

Rreth 360 është numri i vëzhguesve të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të vëzhguar zgjedhjet e së dieles, më 23 prill, që do të mbahen në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Gjatë kësaj mbledhje KQZ-ja ka caktuar edhe vendvotimet ku qytetarët do të mund të votojnë.

Shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, sqaroi për procedurat e aplikimit për vëzhguesit.

Anëtari i PDK-së, Arianit Elshani pyeti se a është bërë transporti i kontejnerëve.

“Vendosja e kontejnerëve nuk mund të bëhet menjëherë, sepse janë 26. Është proces që nuk mund të kryhet brenda një dite, për shkak se duhet bëre sistemimi”.

Sipas Zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike, media, OJQ dhe përfaqësi të huaja diplomatike që janë të akredituara në Kosovë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akreditoi 357 vëzhgues të cilët do të mund të përcjellin nga afër procesin zgjedhor më 23 prill dhe procedurat tjera pas ditës së zgjedhjeve. Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë subjekte politike, media, OJQ dhe përfaqësi të huaja që janë të vendosura në vendin tonë”, njoftoi Elezi.

Sipas tij, numri i vëzhguesve të akredituar në emër të subjekteve politike është gjithsej 75, ndërsa në emër të OJQ-ve të ndryshme do të vëzhgojnë 109 vëzhgues.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, ambasada e Mbretërisë së Bashkuar është akredituar për të përcjellur këto zgjedhje me dy vëzhgues. Edhe mediat kanë shfaqur interesim të madh për këtë proces zgjedhor, pasi numri i përgjithshëm i tyre që janë akredituar janë më shumë se 20 media me më shumë se 170 persona.

Në mesin e mediave që janë akredituar janë edhe mediat ndërkombëtare si Associated Press, Reuters, TRT Arabi, Al Jazeera Balkans e Anadolu Agency.

Të ngjashme