Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që janë mbajtur më 11 qershor, raporton Ekonomia Online.
Koalicioni PDK-AAK-Nisma ka fituar 33,74 për qind, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje 27,49 për qind, kurse koalicioni LDK-AKR-Alternativa 25,53 për qind.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka konfirmuar se koalicioni PAN ka siguruar 39 ulëse në Kuvendin e Kosovës, kurse e dyta Lëvizja Vetëvendosje 32 ulëse, ndërsa koalicioni LAA ka 29 ulëse, raporton EO.
Ajo kërkoi mirëkuptim për vonesën për përmbylljen e këtij procesi, por tha se procedurat janë çështje ligjore.
“Sot kemi pranuar njoftimet nga PZAP-i dhe nga Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë çështje për të vendosur dhe se KQZ-ja mund të procedojë me certifikimin e këtyre rezultateve. Po ashtu ju njoftoj se certifikimi I këtyre rezultateve është bërë me votim unanim të gjithë anëtarëve të cilët janë këtu prezent, po ashtu kemi pranuar edhe shkresën për tërheqjen nga e drejta e ankesës së Vehbi Ymeri, i cili ka pas të drejtë ankese deri sot në ora katër, po ashtu ju njoftoj se i kemi pranuar edhe shkresat për tërheqjen e kandidatit për deputet Shpend Ahmetit dhe deklaratat e kandidatëve të tjerë të cilët kanë pas pozita të dyfishta dhe kanë mundur të zgjedhin në mes të këtyre dy pozitave”, ka thënë Daka.
“Në emër të KQZ kërkoi mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, subjekteve politike dhe kandidatëve të cilët mund të kenë pas pakënaqësitë e tyre në lidhje me zgjedhjet, lidhur me siç thuhet vonesën për përmbylljen e këtij procesi, por dua të them se këto janë procedura të parapara me ligj dhe ne si institucion e kemi zbatuar ligjin në përpikëri dhe nuk mund të tejkalojmë në asnjë mënyrë”, ka thënë Daka.
“Komisioni Qendror i zgjedhjeve është i gatshëm të jap kontributin e tij për një reformë zgjedhore e cila do të ndihmonte në shkurtimin e kohës për përmbylljen e këtij procesi zgjedhor por natyrisht edhe të çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor”, tha ajo.
Shtyrja e deritanishme e certifikimit të rezultateve ishte bërë për shkak të rinumërimit të votave të subjekteve politike.