Zëdhënësi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në një prononcim për Ekonomia Online tha se KQZ-ja ka marrë vendim për çregjistrimin e 8 partive politike të cilat nuk kanë rezultuar si të certifikuara për të marrë pjesë në tri palë zgjedhjet e fundit në Kosovë.
Ky vendim është marrë në zbatim të Rregullës Zgjedhore për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë ka marrë vendim për të çregjistruar 8 parti politike. Ky vendim është marrë në zbatim të Rregullës Zgjedhore për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike. Rregulla në fjalë specifikon qartë se çregjistrimi ndodh, ndër tjerash, kur partia politike nuk është certifikuar nga KQZ-ja për të marrë pjesë në tri palë zgjedhje të njëpasnjëshme”.
“Prandaj, këto 8 parti politike janë çregjistruar sepse nuk rezultojnë të jenë certifikuar për të marrë pjesë në të paktën tri palë zgjedhjet e fundit (2014; 2017 dhe 2019), as si parti politike për të marrë pjesë vetë në zgjedhje dhe as si pjesë e ndonjë koalicioni parazgjedhor”, tha Elezi për Ekonomia Online.
Ai ka treguar se 3 parti janë ankuar ndaj vendimit të KQZ-së për çregjistrim në PZAP dhe 1 nga këto parti ka vazhduar procesin në Gjykatën Supreme.
Partitë që janë ankuar ndaj vendimit të KQZ-së janë: Nova Snaga, Partia e të Gjelbërve, Partia Republikane e cila ka vazhduar me ankesë edhe në Supreme.
“Tri nga këto 8 parti politike janë ankuar kundër vendimit të KQZ-së në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe ky institucion ka konfirmuar vendimin e KQZ-së, ndërsa njëra nga këto parti ka vazhduar procesin edhe në Gjykatën Supreme, e cila poashtu ka lënë në fuqi vendimin e PZAP-it dhe rrjedhimisht të KQZ-së”.
Në bazë të të dhënave nga KQZ-ja, Elezi ka njoftuar se numri i partive politike që janë të regjistruara në është 47.
“Sipas të dhënave të fundit, do të thotë pas vendimit për çregjistrimin e këtyre 8 partive politike, numri i partive politike të cilat janë të regjistruara në KQZ është gjithsej 47”, tha ai për EO.
Nga 47 parti politike që janë pjesë e regjistrit të partive funksionale në Kosovë, 24 janë shqiptare, ndërsa nga komunitetet 6 janë serbe, 7 boshnjake, 3 gorane, 2 rome, 2 turke, 3 ashkali dhe 2 egjiptiane.