Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është e gatshme edhe për organizimin e një palë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Valmir Elezi, zëdhënës i këtij institucioni i tha Ekonomia Online se, vazhdimisht e kanë bërë të qartë se janë të gatshëm që ta përmbushin këtë obligim kurdo që iu kërkohet.
Duke mos dashur që të komentojë zhvillimet në vend, ai thotë se organizimi i zgjedhjeve është detyrë kushtetuese.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk komenton zhvillimet politike”.
“Lidhur me temën në përgjithësi, KQZ-ja vazhdimisht e ka bërë të qartë se organizimi i zgjedhjeve është detyrë kushtetuese, prandaj do ta përmbushim këtë detyrë kurdo që kërkohet”.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur me 6 tetor të vitit të kaluar, ku fituese doli Lëvizja Vetëvendosje.
Kjo parti bashkë me LDK-në, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve janë duke u munduar që të formojnë Qeverinë e re, por që edhe përkundër një varg takimesh e ofertash, ende nuk janë marrë vesh.